2.5 vite pas tërmetit, dëmtimet në shumë pallate mbeten mjaft evidente.

Në bllokun e madh të apartamenteve, në lagjen nr.12, pranë markatës së Durrësit, dëmet i përngjasojnë godinave të dëmtuara nga lufta.

Enver Zeqja, administratori i pallatit deklaron se banorët jetojnë ende me frikë.  Pallati ka dëmtime DS3 dhe riparimet e apartamenteve janë bërë nga vetë banorët, pasi morën grantin e dëmshpërblimit në vlerën 500.000 lekë. Ndërkohë, ambientet e përbashkëta janë njësoj si ditët e para pas tërmetit.

“Kanë gati 3 vjet që jetojnë me frikë. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka ardhur njeri me thënë plaçi mu këtu, a jeni gjallë apo jeni vdek”,– thotë Zeqja për “DurrësLajm”.

“Frika është por jemi në dorë të zotit për çdo gjë. Mund të bjerë një tërmet dhe mund të biem poshtë”,- thotë një banore.

Pavarësisht se janë interesuar disa herë pranë bashkisë, asnjë përgjigje nuk kanë marrë nga institucioni për hallin që kanë.

“Kam shkuar në bashki janë tallur ekonomistet, teknikët tek kati i parë, majtas. Janë tallur, jo shko këtej, jo shko andej. Asgjë s’po bëhet deri tani. Shkojmë interesohemi nuk jep asnjë përgjigje se kush firmë e ka këtë, që të shkojmë te firma”,- thotë administratori i pallatit.

Prej rreth një muaji, vetë banorët kanë rregulluar ashensorin, pasi prej më shumë se 2 vitesh ngjiteshin dhe zbrisnin përmes shkallëve, një torturë e vërtetë për moshën e tretë.

“Kemi shti nga 50 mijë lekë për të rregulluar ashensorin. Ka një muaj që e kemi rregulluar, pasi njerëzit përdornin shkallët”.

Ndërkohë, problem më vete mbeten depozitat e ujit në katin e fundit. Një zonjë ankohet për lagështirën e krijuar dhe rrezikun që mund t’u kanoset nëse regjistrohet një tjetër lëkundje e fortë sizmike.

Megjithëse është një pallat në qendër të qytetit, infrastruktura që e rrethon lë shumë për të dëshiruar. Për Enver Zeqjan, pushteti lokal është inekzistent.

“Apeli jonë është të vijnë të rregullojnë shkallët, që të vijnë familjet të gjitha këtu. Të rregullohet rruga, ndriçim s’ka, kanalizime s’ka. Unë habitem, a ka njeri që e drejton këtë dreq bashkie, që të vijë të kontrollojë, të shohë. Unë s’shoh njeri këtu, këta janë kot”.  

M.B.