Policia e Durrësit ka publikuar pamjet nga momenti i ndërhyrjes dhe arrestimit të 7 shtetasve në një restorant në zonën e Gjirit të Lalzit, gjatë operacionit të koduar “Enigma”, zhvilluar me masa të larta sigurie dhe mbështetje të Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.
Në video shfaqet qartë ndërhyrja e befasishme e efektivëve të armatosur, të cilët neutralizojnë me shpejtësi personat e dyshuar.
Të gjithë të arrestuarit ndodheshin në të njëjtën tavolinë dhe, sipas Policisë, mbanin me vete armë zjarri të mbushura e gati për përdorim. Gjatë operacionit u sekuestruan katër armë zjarri pistoleta, municion luftarak, para dhe sende të tjera të dyshuara si prova materiale.