Një panair me produkte artizanale të grave të zonës së Tushemishtit tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të Durrësit, paraditen e sotme.

Nuk ishin të paktë konsumatorët që blenë produktet ushqimore apo artizanale të punuara me mjaft mjeshtëri e dashuri, nga këto gra që prej vitesh e kultivojnë këtë pasion dhe profesion.

Kriza ekonomike e kohëve të fundit duket se ka goditur edhe artizanatin, sepse siç pohon njëra nga pjesëmarrëset në panair, blerjet kanë rënë ndjeshëm.

Për të, periudha më fitimprurëse kanë qenë vitet para pandemisë, ndërkohë që pohon se është e pamundur të mbijetosh me fitimet që nxjerrin nga shitja e produkteve që bëjnë vetë.

I hapur paraditen e sotme në sheshin kryesor të qytetit, panairi pati edhe një vizitore të veçantë, ambasadoren e Suedisë në vendin tonë, Elsa Hastad.

Për “DurrësLajm”, diplomatja e huaj tha se prania e saj në qytetin bregdetar lidhej me mbështetjen e madhe që prej 20 vitesh, qeveria e vendit të saj i ka ofruar vendit tonë për fuqizimin e grave.

“Ambasada e Suedisë është sot në Durrës për të mbështetur fuqizimin e grave. Në qytetin tuaj ka shumë organizata që luftojnë për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Qeveria suedeze mbështet fuqizimin e grave në Shqipëri prej më shumë se 20 vitesh. Sot do të takohemi me organizata që kanë qenë pionere në këtë fushë”,- tha Hastad.

Panairi i sotëm organizohej nga shoqata “Gender, paqe dhe siguri”, që prej vitesh ka mbështetur gratë me probleme sociale dhe viktimat e dhunës në familje në Durrës dhe më gjerë.

M.B.