Edicioni XIV i panairit “Work&Study” u ndal në Durrës. Me qindra të rinj, kryesisht maturantë, vizituan stendat e panairit, ku universitetet publike dhe private të vendit tonë i njihnin nga afër studentët e ardhshëm me programet e studimit dhe kurrikulat arsimore.

Organizatorja e këtij panairi, Ornela Gaçe u shpreh mjaft e kënaqur me pjesëmarrjen e të rinjve, por edhe me shtrirjen e këtij aktiviteti, që këtë vit ka rritur numrin e ndalesave nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Krahas politikave të universiteteve për tërheqjen e maturantëve, vetë të rinjtë janë mes dilemës nëse duhet të qendrojnë në Shqipëri apo të studiojnë jashtë vendit.

Pjesa më e madhe e të intervistuarve shprehin dëshirën për të ndjekur degët si infermieri apo mjekësi, kjo dhe për faktin se shohin më të lehtë punësimin jashtë vendit.

E veçanta e këtij prezantimi ishte edhe lidhja që një pjesë e universiteteve kanë krijuar me sektorin e biznesit, duke garantuar punësimin e të rinjve pas përmbylljes së ciklit të studimeve.