Një situatë e tensiomnuar u regjistrua paraditen e sotme para derës së bashkisë Durrës, kur një grup anëtarësh të shoqatës së paraplegjikëve kërkonin me ngulm të flisnin me kryetaren e bashkisë.

Protestuesit u futën brenda ambienteve të bashkisë dhe pritën për minuta të tëra pranë zyrës së kryetares për të marrë kontakt me të. Ndërsa një përfaqësi prej 5 anëtarësh u fut në takim, kryetari i shoqatës Sokol Murataj e pati të pamundur, për shkak të mungesës së rampave.

Kjo është e treta herë në 6 muaj, që paraplegjikët e Durrësit protestojnë për të marrë listëpagesat e invaliditetit për periudhën kohore 2005-2010.

Janë dy pagesa, ajo e aftësisë së kufizuar dhe e kujdestarisë, të cilat nuk janë indeksuar nga viti 2005 deri në 2010. Për këtë shkak është akumuluar një borxh që nuk i kalon 170 mijë lekë të reja për invalid. Janë mbi 1000 persona që kanë bërë kërkesat dhe presin të marrin listëpagesat nga Drejtoria e Shërbimit Social të bashkisë”,- tha Murataj.

Protestuesit këmbëngulin të marrin paratë që u takojnë, sepse jetojnë në kushte të vështira ekonomike.

“Kërkojmë atë që na takon me ligj, nuk kërkojmë lëmoshë. Duam një përgjigje, se ka kaq kohë që protestojmë”,– tha kujdestarja e një invalidi.

“Na gënjyen para votimeve, na thanë çdo problem që keni do jua zgjidhim. Vetëm na jepni votën. Ne i dhamë votën, prit të na jepnin ndonjë gjë, nuk na dhanë”,- tha një protestuese.

Kryetari Murataj deklaroi se është përgatitur edhe një akt-padi që do të dorëzohet në SPAK për kryetaren e bashkisë dhe drejtoreshën e Shërbimit Social.

“Nëse nuk kemi një përgjigje sot, do ia depozitojmë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Spak-uit”,- tha Murataj.

Pas takimit me kryetaren e bashkisë, njëri nga anëtarët e shoqatës deklaroi:

“Kryetarja e bashkisë na tha që t’i çojmë vendimin e gjykatës. Ne i kërkuam listëpagesat dhe ajo na tha: Në momentin që fitoni gjyqin, më bini vendimin e gjyqit me postë dhe unë jam gati t’ju ndihmoj, nëpërmjet Ministrisë që të merrni paratë. Nëse gjykata nuk jep vendim nuk kam çfarë t’ju bëj se unë në hava nuk i hedh paratë”.

M.B.