Prej vitesh, qytetarët e Durrësit vuajnë për një vend parkimi, sidomos në hapësirat publike afër qendrës së qytetit. Ndërtimi i të parit parkim publik, në afërsi të stacionit të trenit, pritet të zbusë disi këtë problematikë.
Në muajin korrik, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur investimin në vlerën 572 milionë lekë për ndërtimin e godinës, që do të ketë 396 vende parkimi dhe 7 nivele.
Shqetësimit të ngritur nga nënkryetarja e Këshillit Bashkiak Edlira Devolli lidhur me pasjen apo jo të një leje ndërtimi për parkimin publik i dha përgjigje në mbledhjen e fundit të parlamentit të qytetit kryebashkiakja Emiriana Sako.
“Ky objekt ka leje zhvillimi, që do të thotë është në rregull me legjislacionin për ngritjen e kantierit. Atje nuk kanë nisur punët me strukturat dhe jemi në process të dhënies së lejes së ndërtimit. Përsa i takon tarifave, do të jetë një parkim publik me pagesë. Pra do të ketë tarifa, të cilat do të shtetëzohen që nga përdorimi me orë i parkimit, por edhe për familjarët apo për t’u shtrirë në shtrirje të ndryshme kohore. Patjetër që do t’i prezantohet KB-së kjo analizë dhe me miratimin e Këshillit do të operojmë më tej me paketën fiskale. Por aktualisht nuk kemi ende tarifa, sepse objekti është në ndërtim”,- informoi Sako, këshilltarët.
Godina e parkimit të ri publik në Durrës pritet të jetë gati në muajin prill të vitit të ardhshëm.
M.B.