Pas kritikave që kryeministri Edi Rama i bëri në mbledhjen e dy ditëve më parë me drejtuesit e bashkive lidhur me menaxhimin e situatës së zjarreve, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, ka zbritur vetë dje në terren me forcat zjarrfikëse.

Në një postim në Facebook, Sako shkruan se për më shumë se 30 orë pa ndërprerje, 15 zjarrfikës të Durrësit të ndihmuar nga 20 trupa të ushtrisë dhe 4 mjete zjarrfikëse kanë punuar intensivisht për të neutralizuar zjarret në zonën e Shetajt në Ishëm.

Më tej ajo sqaron se situata është nën kontroll, por ende kemi një vatër aktive.

Postimi i Emiriana Sakos:

Në terren me forcat zjarrfikëse në vatrën e zjarrit në Shetaj të njësisë administrative Ishëm.

Për më shumë se 30 orë pa ndërprerje 15 zjarrfikës të Durrësit të ndihmuar nga 20 trupa 👩‍🚒 të ushtrisë dhe 4 mjete zjarrfikëse kanë punuar intensivisht për të neutralizuar zjarret në këtë zonë.

Kanë qenë 6 vatra zjarri që janë shuar nga forcat në terren ndërkohë që vatra e shtatë është në një zonë të paarritshme për shkak të bimësisë së dendur dhe një terreni tepër të thyer. Era e fortë e ka vështirësuar edhe më shumë punën e ekipeve në terren. Për të neutralizuar këtë vatër zjarri ditën e djeshme ka ardhur në ndihmë helikopteri i cili ka punuar për fikjen e tij.

🧯 Situata është nën kontroll, flakët janë minimizuar por vatra është ende aktive ndaj sot fadromat kanë filluar punën për të hapur një rrugë në mënyrë që ekipet në terren të shkojnë sa më pranë vatrës dhe të shuajnë plotësisht zjarrin. Jemi në terren në gatishmëri duke monitoruar situatën dhe duke punuar për shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit. Mirënjohje dhe respekt për zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë që luftojnë me flakët çdo ditë.