Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ, e Vangjel Dules dhe “Bashkimi demokratik i Minoritetit grek”, OMONIA, kanë reaguar menjëherë pas publikimit të rezultatit përfundimtar të Censusit 2011 duke deklaruar se nuk i njohin rezultatet e tij. 

 

Me anë të një deklarate për mediat, PBDNJ shprehet se nuk i njeh rezultatet e Censusit 2011. Sipas PBDNJ-së, rezultatet janë në disfavor të minoriteteve, ndërsa procesi i mbledhjes së të dhënave sipas tyre ishte jo transparent. “Procesi i mbledhjes së të dhënave me shkelje të panumërta. Gjatë mbledhjes së tyre kishte veprime arbitrare, të dhënat janë të stisura”. 

PBDNJ sqaron se shifrat e publikuara zyrtarisht nga INSTAT “nuk pasqyrojnë realitetin në Shqipëri”. 
“Minoritetet do i drejtohen institucioneve të vendit. Censusi i ndërtuar mbi bazën e të dhënave provokuese, është i rrezikshëm, për rajonin dhe Evropën”, theksohet në deklaratën e PBDNJ. 

Në një frymë është qëndrimi i “Bashkimit demokratik të Minoritetit grek”, OMONIA, që vlerëson se bëhet fjalë për të dhëna artificiale, të cilat janë përpunuar pa mbledhje reale në terren.OMONIA kujton se minoriteti etnik grek e bojkotoi procesin në masën, që kapërcen 90% ndaj deklaron se “nuk e njeh procesin në tërësinë e tij dhe i ngelet kërkesës për realizimin e një procedure shtetërore që do synojë pikërisht regjistrimin e pjesëtarëve të minoriteteve dhe shtresëzimin fetar të shoqërisë në Shqipëri”. 
OMONIA denoncon atë që e quan “provokim të rëndë në dëm të minoritetit etnik grek, minoriteteve të tjera dhe komunitetit ortodhoks në vend”. 

Sipas organizatës “disa qarqe nuk mjaftohen me retorikën nacionaliste, të cilën e denoncon në mënyrë kuptimplote Komisioni Evropian, por avancojnë në realizimin e praktikave të tkurrjes statistikore, e cila nuk ka për t’u kaluar, sepse është në kundërshtim me kërkesën për sjellje të sinqertë dhe konstruktive, që imponon procesi i integrimit në familjen Europiane”. 

OMONIA deklaron se procesi i Censusit është i pavlefshëm dhe nuk duhet të merret parasysh as nga qeveria dhe as faktori ndërkombëtar duke theksuar se procesi i identifikimit të pjesëtarëve të komunitetit etnik grek që po realizohet gjatë kësaj periudhe nga ana e OMONIA-s tregon parametra thelbësisht të diferencuara nga të dhënat e fabrikuara dhe të fallsifikuara të Censusit Shtetëror.