Ato janë gra pensioniste, por vështirësitë ekonomike kanë bërë që puna të jetë pjesë e pandarë e jetës së tyre. 

Këtë fat pati edhe Marie Ndoja, një 65-vjeçare banuese në Durrës.  

Ajo, bashkë me disa bashkëmoshatare, në dimër a verë, sa herë koha ua lejon, ulen në trotuarin pranë postës në lagjen nr.13 në Durrës dhe punojnë me shtiza.  

“Unë ka një javë që shkoj pa lekë në shtëpi. Vetë jam pa pension, se kam punuar në të zezë dhe burrin e kam invalid me 85 mijë lekë pension. Si jeton një familje me 85 mijë lekë, se fëmijët kanë jetën e vet?“, thotë ajo ndër të tjera, duke na treguar se puna në këtë moshë nuk është e lehtë, ndërsa të ardhurat thuajse të papërfillshme. 

Sezoni veror është një “kohë e artë” për to, sepse vetëm atëherë u shiten punimet. 

“I marrin turistët e ikin. Po sa janë turistët, sa do rrijnë? Po ne do hamë përditë. Duhen ilaçet, me çfarë t’i marrim ato ne?” 

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, një shqetësim i madh me të cilin përballen thuajse çdo ditë është policia bashkiake. 

Në pikë të diellit, edhe s’na lë as policia. Unë do e shtyj atë karrocë nga fillimi deri në fund. Do iki me të, sa të iki policia. E keqja jonë është se nuk na lënë të hyjmë në një vend, që ne të shesim“, thotë 65-vjeçarja.

Prandaj kërkojnë vetëm një vend të posatshëm ku të mund të punojnë të qeta. 

Shteti mos të shohë vetëm rininë, le ta kthejë kokën nga ne që jemi moshë e tretë. Edhe ne duam të hamë si të tjerët, të jetojmë si të tjerët, nuk kërkojmë luks ne. Duam të dalim pa frikë këtu. Sa janë si unë, pse mos ta bëjë diçka për ne? Unë për vete vetëm kaq kërkoj“, apelon Marie.

Ajo thotë se këtë kërkesë ia kanë adresuar edhe bashkisë së qytetit, por ende nuk kanë marrë një zgjidhje.