Teuta rikthehet të hënën në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Dinamos. Durrsakët kanë vijuar përgatitjet anti-Dinamo, ku të hënën Teuta do të kërkojë suksesin. Mesfushori Ergys Peposhi, shprehet se ndaj Dinamos do jetë një ndeshje e vështirë, por ai ka besim tek ekipi.

Çfarë prisni për duelin kundër Dinamos?

Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes, duam të rikthehemi te rezultatet pozitive ndaj Dinamos, por çdo ndeshje është një histori më vete. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje pozitive. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për këtë ndeshjen dhe siç e thashë, nuk është e lehtë.

E vuani presionin e pikëve?

Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por, jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur, dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.

Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Vllazninë?

Të rrisim agresivitetin dhe luftën sportive. Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë sukses, sidomos për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti që e do ekipin dhe kërkon të jenë gjithmonë lart në renditje.

Mendon se ka pika të dobëta Dinamo?

Ne të gjithë jemi optimistë për sfiden e radhës. Ndërsa për Dinamon mund të them që janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët pavarësisht gjendjes që po kalojnë.

Ju kënaq edhe një pikë të hënën?

E thashë edhe më lart. Ne do të luajmë për tri pikët, pastaj 90 minutat i kanë të treja rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe si një pikë apo tri pikë kanë rëndësinë e vet.