Kryebashkiaku i Tiranës thotë se aksidentet e linjave urbane nën administrimin e Bashkisë, janë shkaktuar nga makinat e tjera. Erion Veliaj madje ka akuzuar dy llogari të njohura në internet, “Lolita” dhe “Jeta Osh Qef”, se u vendosin gjoba kompanive të transportit.

“Ju që jeni drejtues të kompanive e dini fare mirë, se keni ardhur tek unë dhe më keni thënë: A ta paguaj atë Erland Dalliun e “Jeta Osh’ Qef”, vetëm që të më lërë rehat? Dhe përgjigja që keni dëgjuar nga unë është: “JO”. Për sa kohë që unë nuk i paguaj gjobat e Erland Dalliut dhe të “Jeta osh’ Qef”, nuk do t’i paguani as ju, se nuk mund të kemi një marrëdhënie ku ju paguani gjobat e atyre që janë tërë ditën me “Range Rover” dhe që s’kanë hipur ndonjëherë në autobus.

Erland Dalliu është nipi i Brahim Dalliut – ta dijë gjyshi i tij, që në muajin e Ramazanit bëhet një haram i tillë dhe nipi i tij gjobit gjithë autobusët… i kam thënë edhe linjës së Kombinatit, “jo, s’ke për të paguar”, edhe linjës Green Line i kam thënë “s’ke për të paguar”, le t’iu vijnë me oferta”, u shpreh Veliaj këtë të mërkurë.

Nga ana tjetër, ai deklaroi se drejtuesit e këtyre faqeve fshihen pas pseudonimeve.

“Më erdhi dje dikush tjetër për atë aksidentin e fundit, më tha: ‘Anisa e Vithkuqit e “Lolitës” më ka vënë gjobë’. I thashë: “Jo, jo, Anisa e Vithkuqit le t’i rrisë dy fëmijët e saj siç i rrisin të gjithë, jo me gjoba”. Nuk do paguaj asnjë gjobë dhe këtë radhë do provoj që ti mund të bësh një fushatë me vendime të rëndësishme, me vendime të drejta, me vendime të ndershme pa paguar asnjë gjobë dhe të fitosh”, shtoi kryebashkiaku.