Nga Gëzim Kabashi

Bashkëpunëtorët dhe miqtë shqiptarë dhe të huaj kanë uruar mbrëmjen e kaluar sipërmarrësin italian Gaetano Castello, i cili u nderua nga presidenti i Republikës me titullin “Për merita të veçanta civile”.

Që nga viti 1992 Castello ka kontribuar si biznesmen në sektorë të veçantë të ekonomisë shqiptare, në disa qytete të vendit tonë.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar në Presidencë në fillim të kësaj jave, presidenti Ilir Meta i ka dorëzuar z Gaetano Giovanni Castello titullin me motivacionin “Në vlerësim të aktivitetit 30-vjeçar të zhvilluar në Shqipëri si sipërmarrës, duke besuar në këtë vend dhe duke investuar kohë, burime dhe përkushtim të madh. Me mirënjohje për punën e kryer, për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqënies për shumë familje shqiptare”.

Presidenti Meta në fjalën e tij tha se ky vlerësim “është një shenjë mirënjohjeje për të gjithë sipërmarrësit italianë që kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre të rëndësishëm për ekonominë sqiptare dhe për rritjen e mirëqënies së popullit tonë”.

80-vjeçari Gaetano Castello jeton prej vitesh në Durrës, ndërsa që nga viti 2009 gëzon edhe Qytetarinë shqiptare.

Në vitin 1992 ai erdhi në Shqipëri nga Siçilia në kuadër të Marrrëveshjes mes kryeministrave Andreoti dhe Ylli Bufi, që synonte bashkë me investimet italiane edhe hapjen e vendeve të punës, me qëllim uljen e tendencës së emigrimit të
shqiptarëve drejt Italisë.

Ai krijoi simotrën e ndërmarrrjes së tij italiane të Catanias në Vlorë. Shoqëria Libra dhe Joint venture Siav Konstruksion në sektorët e impianteve të gazit dhe joint venture në ndërtimin e banesave ishin bizneset që kontribuan në
qytetin jugor.

Në vitin 1995 Castello bashkëpunon në ngritjen e Shoqatës AIIOA të Sipërmarrësve italianë që punojnë në Shqipëri. Për shumë kohë ai është edhe zv/president i saj.

Bashkë më disa kolegë të tjerë italianë, ai nuk largohet në vendi ynë as në vitin 1997, pas dëmeve të mëdha që iu shkaktuan bizneseve të tyre.

Një vit më vonë ai themelon dy ndërmarrje të tjera në fushën e impianteve të gazit LialbGas Enegy dhe Energy Albania.

Në vitin 2005 Castello nderohet me titullin “Qytetar Nderi i Durrësit”. Castello mbetet një nga pikat e referimit të komunitetit italian që jeton dhe punon në Shqipëri.