“Dimri” ka mbërritur zyrtarisht në Durrës. Jo stina e ftohtë, por fundi i sezonit turistik në këtë fund tetori, për të qenë më të saktë.

Turistët e fundit janë larguar tashmë nga hotelet e qytetit dhe vijës bregdetare, por ndryshe nga vite më parë, këtë herë edhe muaji tetor ka regjistruar rezervime thuajse 100%. Moti i mirë ka favorizuar jo pak sektorin e turizmit në muajt e vjeshtës.

“Deri më 25 tetor ne kemi qenë 100% të rezervuar nga turistë nordikë, të cilët kishin zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet. Tetori i këtij viti ka një rritje të konsiderueshme, pasi numri i turistëve nga Suedia, Norvegjia dhe Finlanda është trefishuar krahasuar me një vit më parë”,- thotë për “DurrësLajm” Blerim Norja, menaxher i një strukture hoteliere në plazhin e Durrësit.

Tashmë që operatorët turistikë po bëjnë bilancin e sezonit që sapo u mbyll, shifrat janë shumë të kënaqshme.

“Këtë vit, duke filluar nga maji në tetor ka pasur një rritje prej 20% të numrit të turistëve më shumë sesa viti i kaluar. Kemi pasur një shtrirje 6-mujore të sezonit”,,- thotë Norja.

Turistë nga shumë vende të botës kanë vizituar Durrësin këtë verë. Kohëzgjatja e sezonit veror ka shtuar shpresat e operatorëve turistikë për një qytet të vizitueshëm edhe në muajt e ftohtë të vitit. Kjo sepse Durrësi përveç natyrës së bukur dhe klimës së favorshme, është i pasur me site të trashëgimisë kulturore.

Pak ditë më parë, ishin mediat hungareze që e renditën Shqipërinë mes pesë destinacioneve më në trend për vitin e ardhshëm.

Një ogur i mirë ky për një sezon turistik edhe më të suksesshëm në vitin 2024.

M.B.