Përballja titanësh pritet të dielën në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Emocione të shumta dhe rivalitet të lartë premton dueli Nelson Hysa – Danny Williams.

Përballja mes boksierit të njohur Nelson Hysa dhe rivalit të tij nga Anglia Danny Williams është një nga ndeshjet më të shumëpritura të edicionit të tretë të “Titans Fights” në Durrës.

18 herë kampioni i Shqipërisë në boks do të boksojë me rivalin anglez, që ka hyrë në histori si boksieri që mundi Majk Tajsonin e famshëm.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Hysa rrëfen se po stërvitet prej kohësh për këtë ndeshje shumë të rëndësishme, ndërsa falenderon presidentin Fred Shoshi dhe trajnerin Enton Kikrri për organizimin mjaft të mirë që i kanë bërë këtij eventi sportiv, që në qytetin bregdetar është kthyer në traditë.

Hysa premton se në shkallët e pallatit të sportit do të jenë shumë sportdashës edhe nga Shkodra, tifozë besnikë që e ndjekin në çdo përballje të tij.

Për ish-kampionin absolut të Shqipërisë, boksierët e rinj të Durrësit janë e ardhmja e këtij sporti burrëror.

Duke iu referuar rezultateve mjaft të mira të arritura nga grupi i boksierëve të rinj të “Titans Fights”, Hysa deklaron me bindje se kampionët e ardhshëm të Shqipërisë do të dalin pikërisht nga të rinjtë që stërviten me përkushtim nga Fred Shoshi dhe Enton Kikrri.  

M.B.