Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë në vitin 1944.
Në ceremoninë e organizuar në sallën e Këshillit Bashkiak ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore dhe qendrore si dhe përfaqësues të organizatës së veteranëve të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.
Ceremonia nisi me himnin kombëtar të kënduar nga kori i nxënësve të shkollës “Migjeni”.
Kryebashkiakja Emiriana Sako në fjalën e saj u ndal në kontributin e dhënë nga qytetarët durrsakë në luftën për çlirimin e vendit.
“Pikërisht në qytetin tonë, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që më 7 prill 1939. Durrësi u bë në këtë mënyrë një ndër qytetet me të rëndesishëm të kësaj lëvizjeje. Me kalimin e viteve edhe nën okupimin nazist, qyteti nuk e ndali luftën për çlirim, por përkundrazi e shtoi atë edhe më shumë, duke zgjeruar bazat e luftës dhe shtuar rradhët e luftëtarëve të lirisë.
As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës ndaj nazifashizmit”,- tha kryebashkiakja Sako.
Ndërkohë, drejtori i kulturës Ardian Gurra premtoi se pllaka përkujtimore me emrat e të rënëve për liri, do të rivendoset afër bustit të heroit të popullit, Mujo Ulqinaku.
Në ceremoni e ka marrë fjalën edhe përfaqësuesi i organizatës së veteranëve të LANÇ-it, Kristaq Prifti, i cili theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të luftës antifashiste nacionalçlirimtare dhe vuri në dukje fakte historike nga kjo luftë dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.
M.B.