Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar, kryebashkiakja Emiriana Sako ka kryer homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës.

Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve kryebashkiakja Sako ka vendosur kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri.

“Shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për ta dhe familjet e tyre, gjithashtu edhe për familjet e ushtarakëve dhe të policëve të rënë në krye të detyrës gjatë këtyre viteve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!”, thotë Sako.

Fjalën e rastit në ceremoni e mbajti drejtori i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare në Bashkinë e Durrësit, Adrian Gurra i cili tha ndër të tjera:

“Luftuan dhe sakrifikuan në mënyra nga më të ndryshmet. Pati një rëndësi historike në veçanti dhe për popullin e Kosovës, sepse e rreshtoi atë në aleancën antifashiste dhe bëri të mundur përcaktimin e saj si kombësi aleate”.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe prefekti Emiljan Jani, deputetë të Durrësit dhe përfaqësues të veteranëve të luftës. Të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit.