Portali “DurrësLajm” merr pjesë në eventin përmbyllës të projektit “Media for All”, pas finalizimit me sukses të programit për mediat lokale të Ballkanit Perëndimor mbështetur nga Qeveria Britanike, aktivitet ky i mbajtur për dy ditë me radhë në Serbi, më 17 dhe 18 maj.

Në Novi Sad (qyteti Europian i Kulturës për vitin 2022), për herë të parë që nga fillimi i Programit “Media for All” nga marsi i vitit 2021, ky aktivitet bëri bashkë në një Tryezë Rajonale dy ditore 85 grantmarresit e Media for All (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina) si dhe bashkëpunëtorët dhe partnerët e tjerë nga British Council, Thomson Foundation, Intrac dhe BIRN.

Menaxherja e granteve për Shqipërinë nga British Council, Brunilda Milkani, i dorëzoi gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave, përfaqësueseve të “DurrësLajm” në këtë event, Fatmira Prodani dhe Stela Likmeta, certifikatën e përfundimit me sukses të Grantit:

“Në njohje të përfundimit me sukses të grantit për Zhvillimin e Biznesit dhe aktiviteteve shoqëruese të ndërtimit të kapaciteteve, trajnimit dhe mentorimit, si pjesë e projektit “Media for All” në Ballkanin Perëndimor”.

Në panelet e ndryshme të diskutimit mes pjesëmarrësve, u fol ndër të tjera mbi arritjet e medieve nëpërmjet komponentit ECR dhe granteve të Zhvillimit të Biznesit – BD (Business Development); sukseset mbi modelet e ndryshme të biznesit; ndryshimet në këndvështrimin gjinor: politika, mentorimi, rrjetëzimi etj.

Të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë që të shkëmbenin njohuritë, eksperiencat dhe mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të këtij Programi, si dhe gjatë disa sesioneve speed-dating u vu theksi në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimeve ndërmjet medieve përfituese nga Ballkani Perëndimor.

***

*Projekti “Media for All” financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatohet nga një konsorcium i dhëhequr
nga Këshilli Britanik, duke përfshirë dhe Fondacionin Thomson, BIRN dhe INTRAC. Ky është investimi më i madh në media nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar deri më tani.

*Programi “Media for All” synon të promovojë përmbajtje cilësore, etike, të ndjeshme ndaj gjinisë, i jep zë grave si gazetare dhe si anëtare të komunitetit.

*85 mediave të pavarura u është ofruar mbështetje, trajnim, mentorim dhe financim për të zbatuar idetë dhe përmbajtjen e rëndësishme për audiencën dhe komunitetin e tyre.

*Synon forcimin e medias së pavarur duke mbështetur zhvillimin e modeleve të qëndrueshme të biznesit, krijimin e përmbajtjeve relevante e cilësore për qytetarët dhe përforcimin e zërit të grave, të të rinjve dhe grupeve të nënpërfaqësuara në media dhe komunitet.