Pas pezullimit 24 orësh të lundrimeve nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas, mbrëmjen e së shtunës tragetet e linjës do t’i rikthehen lundrimeve.

Përkeqësimi i motit, veçanërisht në det të hapur gjatë së premtes, me një erë të fortë dhe det deri në 8 ballë çoi në marrjen e vendimit për pezullimin e përkohshëm të lundrimit për tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas, ndërkohë që linja Durrës – Ankona vijoi normalisht udhëtimin.

Të shtunën kushtet atmosferike janë më të qeta në të dy brigjet e Adriatikut.

Gjithsesi deti vijon të jetë i dallgëzuar dhe lundrimi vijon i pezulluar për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese, të cilat duhet të presin qetësimin e motit deri më datë 19 nëntor për të rinisur lundrimet.