Një aksident me këmbësor është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Sukth, ku një 54-vjeçar mbeti i plagosur pasi u godit nga një automjet.
Drejtuesi i mjetit u largua menjëherë pas aksidentit, por u identifikua dhe u arrestua nga Policia vetëm 3 orë më vonë.
I arrestuari është një 42-vjeçar nga Sukthi, ndërsa viktima ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Automjeti i përdorur në aksident është sekuestruar si provë materiale.
Njoftimi i plotë:
Durrës
Mbrëmjen e djeshme, në Sukth, dyshohet se aksidentoi me automjet, një këmbësor, dhe u largua, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga rreth 3 orë pas aksidentit, 42-vjeçari.
Shërbimet e Policisë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se një shtetas ishte aksidentuar me automjet, në Sukth, dhe se drejtuesi ishte larguar nga vendi i aksidentit, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin D. M., 42 vjeç, banues në Sukth, i cili dyshohet se më datë 25.05.2025, rreth orës 20:45, në aksin rrugor “Sukth-Vadardhë”, ka aksidentuar shtetasin B. D., 54 vjeç, dhe është larguar.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, automjetin me të cilin dyshohet se shtetasi D. M. ka aksidentuar 54-vjeçarin.
54-vjeçari i dëmtuar ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.