Ish-drejtuesja politike e PS-së në qarkun Shkodër, Edona Bilali, u shpreh në një intervistë për “Euronews Albania” se një pakicë e vogël e anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak po punojnë për interesat e veta.

Teksa komentoi përplasjet e fundit në Bashkinë Shkodër, Bilali nënvizoi se anëtarët që bojkotojnë mbledhjet nuk përfaqësojnë PS-në.

Ajo tha se nëse vazhdon kjo situatë, ndaj tyre do të merren masa.

“Nuk është hera e parë që ka mos-dakordësi për vendime të cilat duhen të merren brenda këshillit. Një pakicë sheh interesat e veta, jo të mirën publike. Ata nuk janë Partia Socialistë as kjo qasje nuk është qasje e PS-së në Shkodër. PS nuk do të vinte kurrë interesin e qytetarëve para një interesi partiak. Në rastin konkret nuk ka interes partiak, se mos dhënia e ndihmës ekonomike është në kulmin e humanes dhe njerëzores. Revolta ishte për faktin e ndihmës ekonomike. Nuk duhet të bojkotosh mbledhjen. Një qasje e tillë nuk përfaqëson PS-në”, u shpreh Bilali.