Në padinë e saj të depozituar në Prokurorinë e Durrësit pak para sesa të shkarkohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj shpjegon takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Postës më datë 3 mars të këtij viti dhe kërkesën për grup kontrolli në filial.

Gjithashtu në padinë 21 faqe, të cilën “DurrësLajm” e disponon Mataj ka përfshirë edhe relacionin “Mbi kontrollin e filialit Durrës/Dega Shijak”, relacion me nr.170/B prot, datë 10.03.2023, në të cilin pasqyrohen gjetjet dhe rekomandimet.

Në relacion, grupi i kontrollit ka evidentuar të gjitha parregullsitë e konstatuara si dhe ka dhënë rekomandimet përkatëse për personat që ishin kapur në shkelje, por siç thotë në padi Mataj përveç kontatimit asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme, që ka tagrin për të punësuar, shkarkuar dhe lëvizur nga një vend pune në tjetrin punonjësit e filialit.

Pjesa nga padia e Elisabeta Matajt, depozituar në Prokurorinë e Durrësit:

Më datë 03.03.2026 kam shkuar dhe kam takuar personalisht Administratorin (Drejtori i Përgjithshëm) e Postës Shqiptare, ku i kam bërë me dije se në arkën e postës, filiali Durrës ka probleme që lidhen me futjen e personave të paautorizuar, kryesisht përgjegjësja e financës hyn e del kur do dhe tërheq shuma monetare, pa e pasur këtë atribut, ndaj i kam kërkuar të sjellë një grup kontrolli. 

Mbi kërkesën time, po më datë 03.03.2026 Administratori  ka miratuar kontrollin për filialin Durrës/Dega Shijak.

Më datë 05.03.2026 pas kryerjes së kontrollit (pa ardhur ende relacioni i kontrollit), i cili është bërë nga Njësia e Menaxhimit dhe vlerësimit të rrezikut operacional, i kam nisur nëpërmjet postës elektronike znj.Jerina Skreli një informacion lidhur me shtetasen Paola Dana, arkëtare e thesarit, ku e kam informuar se: kjo e fundit kryen veprime për marrje fondi vetëm tek Banka Credins e shoqëruar me blind Nazeri, ndërsa veprimet në banka të tjera, konkretisht tek BKT kryhen nga shefja e financës pa blind shoqërues dhe pa informuar shefin e sigurisë në filial. Gjithashtu, duke e konsideruar si shkelje te rregullores për sigurinë e vlerave monetare, kam kërkuar zbatimin e rregullores dhe ligjit, për të mos lënë hapësirë për abuzime. Bashkëlidhur këtij emaili kam depozituar dy mandate të Bankës Kombëtare Tregtare, pagesa të nënshkruara vetëm nga shtetësja Valbona Duni,Përgjegjëse e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse, e cila nuk e ka pasur për kompetencë të bëjë tërheqje, pa informuar shefin e sigurisë dhe pa mbështetje logjistike (pa blind), pra ka bërë tërheqje të vlerave monetare në mënyrë të pavarur. (Mandatet mbajnë datat 27.11.2025 dhe 30.12.2025), si dhe deklaratat e shtetasve Paola Dana dhe Minir Kodra.

Emaili i mësipërm është dërguar pasi jam vënë në dijeni nga shefi i sigurisë z.Minir Kodra, nëpërmjet një deklarate me shkrim dore., po të datës 05.03.2026, i cili më bën me dije se shoqëron shumat monetare vetëm tek banka Credins, si dhe nga vetë shtetësja Paola Dana, po në të njëjtën datë, e cila deklaron po të njëtin fakt, që merr fond vetëm tek Banka Credins.

Pas kryerjes së kontrollit të datës 03.03.2026 na është përcjellë Relacioni “Mbi kontrollin e filialit Durrës/Dega Shijak”, relacion me nr.170/B prot, datë 10.03.2023, në të cilin pasqyrohen gjetjet dhe rekomandimet. Konkretisht për filialin Durrës:

Pika 1: Cënimi i Sigurisë dhe Integritetit të Mjeteve Monetare

“U konstatua se procesi i transportit të vlerave monetare kryhej përmes një thesi të papajisur me kod sigurie (plumbçe/vulë). Ky veprim përbën thyerje të rëndë të protokollit, pasi bën të pamundur garantimin e paprekshmërisë së vlerave gjatë lëvizjes së tyre.”

Pika 2: Shmangia e Procedurave Standarde të Arkëtimit (Xhirimet)

“Nga këqyrja e pamjeve filmike të datës 14.01.2026 dhe verifikimi i procedurave, rezulton se Përgjegjësja e Financës ka marrë dhe ka nxjerrë jashtë arkës dhe i ka cuar në zyrën e saj vlera monetare, gjithashtu xhirimet e bankave të tjera (përveç bankës ‘Credins’) i ka kryer në mënyrë të pavarur është përtej detyrave funksionale që ka dhe jashtë procedurave që duhet të ndiqen për sistemin të arkëtimit zyrtar dhe në kundërshtim me rregulloren për menaxhimin e likuiditetit.” Ky akt është kryer në bashkëpunim me arkëtaren.

Pika 3: Shkelja e procedurave të dorëzimit të mjeteve monetare të dëmtuara.

U konstatua se arkëtarja kryen dorëzimin e kartëmonedhave të dëmtuara pranë institucioneve bankare në kundërshtim të plotë me rregulloren financiare. Dorëzimi i këtyre vlerave bëhet pa u pajisur me mandat-arkëtimi ose dokumentacion vërtetues nga banka, duke u bazuar vetëm mbi “mirëbesimin”, gjithashtu dorëzimi i vlerave monetare pa fature hyrje-dalje nga arka(dorëzimi i 600.000 all fizikisht por me faturë rezultojnë 500.000) Ky veprim përbën një shkelje administrative, pasi:

1. Pamundëson rakordimin e saktë të arkës me gjendjen fizike.

2. Krijon mungesë gjurmueshmërie për vlerën reale të dorëzuar (pasi banka mund të mos e njohë vlerën e plotë të kartëmonedhës së dëmtuar).

3. Ekspozon institucionin ndaj rrezikut të deficitit financiar dhe përvetësimit të fondeve,pa pasur asnjë mjet mbrojtës ligjor ndaj bankës ose punonjësit.

Pika 4: Analiza e Rrezikut dhe Konkluzioni

Gërshetimi i faktorëve të mësipërm – si aksesi i personave të paautorizuar në arkë, dorëzimi i parave pa faturë nga arkëtarja, mungesa e kodeve të sigurisë në thes, dorëzimi i këtyre vlerave bëhet pa u pajisur me mandat-arkëtimi ose dokumentacion vërtetues nga banka dhe dërgimi i xhirimeve bankare nga Shefja e Financës – krijon një mjedis me rrezikshmëri të lartë për vjedhje, abuzim dhe keqpërdorim të fondeve.”

Rekomandime për masa

Në vijim të gjetjeve të fundit mbi shkeljet e rënda të protokolleve të sigurisë dhe disiplinës financiare, propozohen masat e mëposhtme:

  1. Masë ndaj Arkëtares Paola Dana (Arka Qendrore)

Konstatimi: Mungesë organizimi, faturim i parregullt (pranim lekësh pa faturë), derëzim i vlerave të dëmtuara në bankë pa dokumentacion provues dhe lejimi i personave të paautorizuar në ambientet e arkës.

Masa e Propozuar: Kalim nga Arkëtare Qëndrore në Arkëtare në Zyrë

Riorganizimi i Zyrës të Financës (Valbona Duni / Luljeta Zela)

Ndryshimi i personelit aktual dhe rekrutimi i elementëve të rinj me integritet të lartë, konkretisht ndryshim pozicioni i Shefes së Shërbimeve mbështetëse/shefe finance dhe llogaritares së parë. ………

Nisur nga relacioni i mësipërm, në kuadër të kompetencave të mia si Drejtor Filiali me shkresën nr.114/1 prot, datë 12.03.2026 i jam drejtuar Administratorit të Postës Shqiptare sh.a. me “Propozim për masë disiplinore”, konkretisht:

Në Relacionin “Mbi Kontrollin e Filialit Durrës/Dega Shijak” me nr. 170/B prot, datë 10.03.2026 nga Njësia e Menaxhimit të Riskut dhe Njësia e Parandalimit të Pastrimit të Parasë u konstatuan gjetjet si më poshte:

1.Cënimi i sigurisë dhe integritetit të mjeteve monetare Procesi i transportit të vlerave monetare kryhej përmes një thesi të papaisur me kod sigurie,plumbçe/vulë.

2.Shmangie e proçedurave standarde të arkëtimit (Xhirimet) – Nga kqyrja e pamjeve filmike të datës 14.01.2026 dhe verifikimi i proçedurave rezulton se Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse ka nxjerrë jashtë arkës dhe i ka çuar në zyrën e saj vlera monetare dhe xhirimet e tjera (perveç Bankës Credins) i ka kryer në mënyrë të pavarur, veprime në kundërshtim me rregulloren për menaxhimin e likuiditetit, të cilat janë bërë në bashkëpunim me arkëtaren.

3.Shkelja e proçedurave të dorëzimit të mjeteve monetare të dëmtuara. U konstatua se arkëtarja kryen dorëzimin e kartëmonedhave të dëmtuara pranë institucioneve bankare në kundërshtim të plotë me rregulloren financiare. Dorëzimi i këtyre vlerave bëhet pa u pajisur me mandat-arkëtimi ose dokumentacion vërtetues nga banka, duke u bazuar vetëm në “mirëbesimin”. Gjithashtu dorëzimi i vlerave monetare pa faturë hyrje-dalje nga arka (dorëzimi i 600.000 all fizikisht por me faturë rezultojnë 500.000). Ky veprim përbën shkelje administrative, pasi pamundëson rakordimin e saktë të arkës me gjendjen fizike, krijon mungesë gjurmueshmërie për vlerën reale të dorëzuar (pasi banka mund të mos e njohë vlerën e plotë të kartmonedhës së dëmtuar), ekspozon institucionin ndaj rrezikut të deficitit financiar dhe përvetësimit të fondeve, pa pasur asnjë mjet mbrojtës ligjor ndaj bankës ose se gjatë ushtrimit të detyrës së saj punonjësit. Në mënyrë të përmbledhur konstatohet arkëtarja ka mungesë organizimi, faturim të parregullt (pranim lekësh pa faturë), dorëzim të vlerave të dëmtuara në Bankë pa dokumentacion provues dhe lejimi i personave të paautorizuar në ambientet e arkës. Për shkeljet e mësipërme, në vijim të rekomandimeve për masa dhe mbështetur në Rregulloren e Brendshme të Filialit, Kreu II, Detyrat dhe Kompetencat e Drejtorit të Filialit, pika 17, propozoj që punonjësja Paola Danaj aktualisht në pozicionin Llogaritar-Arketar, të kalojë në pozicionin punonjëse shërbimi në sportel.

Më datë 13.03.2026 me shkresën me nr.114/2 prot, kam nisur shkresën tjetër “Propozim për masë disiplinore”, duke ju referuar po të njëjtit relacion, atij të datës 10.03.2026, duke propozuar:

….. Në vijim të rekomandimeve për masa dhe mbështetur në Rregulloren e Brendshme të Filialit, Kreu II, Detyrat dhe Kompetencat e Drejtorit të Filialit, pika 17, propozoj që punonjësja Luljeta Zela, aktualisht në pozicionin Llogaritare e parë, të kalojë në pozicionin punonjëse shërbimi.

          Pas dërgimit të këtyre dy shkresave, nga ana e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të Postës Shqiptare, na është përcjellë shkresa me nr.589/1 prot, datë 03.04.2026 “Kthim përgjigje shkresave nr.114/2, datë 13.03.2026 dhe nr.114/1 prot, datë 12.03.2026 mbi  “Propozim për masë disiplinore””, ku na bëhet me dije se : propozimet e masave të dërguara në Drejtorinë e Përgjithshme “Posta Shqiptare”, sh.a., nuk janë në përputhshmëri me relacionin e Grupit të Punës, nr.170/B prot, datë 13.03.2026 “Mbi kontrollin e Filialit Durrës/Dega Shijak”, për këtë arsye kërkojmë nga ana Juaj që t’i përmbaheni relacionit.

          Lidhur me përgjigjen e mësipërme, ende sot e kësaj dite nuk kam kostatuar ku është papërputhshëmria me relacionin.

Gjithsesi, në vijim të këtyre shkresave ka vijuar korrespondenca me Drejtorinë e Përgjithshme të postës Shqiptare, ku i është relatuar çfarë masash janë marrë, si dhe faktin që llogaritarja e parë ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë që nga ana e Administratorit të Postës Shqiptare nuk është vepruar lidhur me propozimet e bëra për masë disiplinore. Konkretisht me shkresën nr.114/4 prot, datë 23.06.2026 kemi bërë me dije se: Në lidhje me rekomandimet për masat që duhet të merren për personelin e Sektorit të Financës në Filialin Durrës, iu bëjme me dije se llogaritarja e parë ka paraqitur dorëheqjen nga puna, për arkëtaren kemi dërguar propozimin në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore për kalimin në një pozicion tjetër, ndërsa për Përgjegjësen e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse jemi në pritje të rekrutimit të elementëve të duhur, pasi do të përbente problem në mbarëvajtjen e punës ndryshimi i njëkohshëm i arkëtares, llogaritares së parë dhe përgjegjëses së Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse.

Nisur nga të gjitha veprimet e mësipërme, korrespondencës së vazhdueshme me Drejtorinë e Përgjithshme dhe strukturave përkatëse, qoftë nëpërmjet shkresave, ashtu edhe nëpërmjet takimeve apo postës elektronike, nga ana e strukturave përgjegjëse nuk u ndërmor asnjë veprim.