Në kuadrin e ditës botërore të librit, Biblioteka e Durrësit përuroi antologjinë me krijimet në poezi dhe prozë të nxënësve të 13 shkollave publike dhe jo publike të qytetit bregdetar.

Në aktivitetin e organizuar në odeonin e Qendrës Kulturore ishin të pranishëm të gjithë nxënësit, të cilët me krijimet e tyre u bënë pjesë e antologjisë “Pena rinore 2021”.

Sipas drejtoreshës së bibliotekës, Mirela Ylli, në krijimet e nxënësve vihet re një nivel i lartë artistik dhe mes krijuesve të rinj ka shumë talente që premtojnë për të ardhmen.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur Dita Botërore e Librit më 15 nëntor 1995 me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive.