Pesha totale e kokainës së kapur në kontenierin e firmës “Alba Exotic Fruit”, në portin e Durrësit është 7 kilogramë e 700 gramë.

“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ku nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, strukturat hetimore të DVP Durrës dhe autoritet doganore të Portit, u sekuestrua një sasi lëndë narkotike, ju informojmë se pas peshimit të pakove, rezultoi se pesha totale është 7 kilogramë e 700 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.“, njofton policia.

Sasia në fjalë u kap në sajë të operacionit të koduar “Rada” i nisur që më datë 13.07.2021, ku autoritetet kapën në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine.

Gjatë kontrollit të imtësishëm në një nga kontenierët e ngarkuar me banane i ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Në nisje të operacionit, nga taskforca permanente që vepron në hyrje dhe në dalje të Portit të Durrësit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës shtetasi E. D.

Task Forca permanente që operon në portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.