Personazhe të fantazisë apo kinematografisë për fëmijë të shfaqur në monumentet e traashëgimisë kulturore të Durrësit.
Kështu ishin konceptuar pjesa më e madhe e 50 tablove të punuara nga piktorët e vegjël të studios “Da Vinçi”, të cilët morën pjesë në ekspozitën e hapur në taracën e Kullës Veneciane fundjavën që lamë pas.
Me imagjinatën fëminore, vogëlushët e moshës nga 5 vjeç deri tek adoleshentët 17-18-vjeçarë kishin krijuar në telajo një simbiozë interesante mes siteve të trashëgimisë kulturore dhe teknologjisë së ditëve tona.
“Çdo fëmijë ka marrë sitet e trashëgimisë kulturore të qytetit të Durrësit dhe në ato site, për t’i bërë më të dashura për bashkëmoshatarët e tyre, ka vendosur teknologjinë në këto site”,– tha ndër të tjera drejtuesja e studios “Da Vinçi”, Alketa Tragaj.
Për shumë nga fëmijët, piktura mbase nuk do të jetë profesioni që do të ndjekin në të ardhmen, por përfshirja e tyre në botën e artit që në moshë të vogël i brumos ata me dashurinë për të bukurën.
M.B.