Turistët e këtij fillim-tetori do të fotografojnë, bashkë me amfiteatrin më të madh në Ballkan, edhe këtë pirg të madh me mbetje urbane.
Një skandal që, jo vetëm shëmton pamjen estetike të qytetit pranë një prej siteve arkeologjike më të vizituara (dhe të vetmin të hapur), por edhe dëmton turizmin në fund të një prej sezoneve më të suksesshme që Durrësi ka regjistruar ndonjëherë.
Këto pamje, që “DurrësLajm” po publikon, vijnë vetëm pak muaj pas njoftimit të bërë nga policia bashkiake, lidhur me oraret për hedhjen e mbetjeve urbane.
Sipas njoftimit, për qytetarët orari i hedhjes së mbetjeve duhet të jetë nga ora 06:00 deri në orën 23:00, ndërsa për subjektet private, bizneset me aktivitet shërbimi hoteleri, restorant, supermarket, resort si dhe çdo subjekt tjetër, orari i hedhjes së mbetjeve duhet të jetë nga ora 23:00 deri në orën 04:00.
“Duhet”, sepse siç duket, ky vendim është shkelur me të dyja këmbët.