Një 45-vjeçar me shtetësi sllovene ka mbetur i plagosur mbrëmjen e kësaj të hëne në zonën e Shkallnurit, në Durrës, pas një konflikti fizik me disa persona të paidentifikuar.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 21:30, shtetasi me inicialet M. M., i cili dyshohet se jetonte në kushte endacake, është konfliktuar me disa persona, të cilët pas ngjarjes janë larguar nga vendi.

Si pasojë e konfliktit, 45-vjeçari ka pësuar dëmtime fizike, të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës, dhe është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe shoqërimin e autorëve të dyshuar. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.