“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Durrësit për 56-vjeçarin Shpëtim Osma, i cili plagosi me armë zjarri fqinjët e tij, çiftin Sami dhe Nadire Disha, ngjarje e ndodhur në fshatin Gos të Rrogozhinës, më 6 qershor ditën e Kurban Bajramit.
Në seancën gjyqësore për vleftësimim dhe caktimin e masës së sigurisë, Osma nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese për aktin që kreu.
Ai ka pretenduar se u ndje i ofenduar dhe i sulmuar fizikisht nga bashkëshortët Disha, me të cilët ishte përfshirë më parë në një konflikt verbal për shkak të erës dhe zhurmës që shkaktonin bagëtitë e vendosura nga çifti në oborrin e shtëpisë përballë banesës së tij, që është e pabanuar dhe ndaj shfrytëzohej nga çifti Disha për të mbajtur bagëtitë, larg nga shtëpia e tyre, që ndodhet në të njëjtën rrugicë.
Shtëpia ku ndodhet dhe kasollja e bagëtive është në pronësi Bujarit, vëllait të Sami Dishës, i cili jeton në Greqi.