Policia ka zbardhur plagosjen me armë mbrëmjen e djeshme në qendër të Burrelit, ku një person mbeti i plagosur. Dy persona janë vënë në pranga ndërsa 5 të tjerë janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim.

Sipas burimeve zyrtare nga policia, ka pasur një konflikt mes disa personave rreth orës 21:00 në lagjen “Partizani” në një lokal. Në konflikt u përdorën armët e zjarrit, ku i plagosur mbeti Aldo Dedja 33 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar 7 gëzhoja pistolete model 56.

Nga hetimet e policisë, u arrestua Aldo Dedja për moskallëzim krimi dhe Astrit Suçi 54 vjeç. Këtij të fundit iu gjet në biznesin e tij një sasi prej 140 gramë kanabis, 1 kapsollë detonatore dhe 100 cm fitil zjarr përcjellës.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit:

K.S, 18 vjeç, banues në Burrel, për  veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje”, “Prishje e qetësisë publike”, e kryer në bashkëpunim.

D.S, 23 vjeç, banues në Burrel, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prishje e qetësisë publike”, e kryer në bashkëpunim.

E.P, 30 vjeç, banues në Burrel, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prishje e qetësisë publike”, “Plagosje e lehtë”, “Rrëmbim personi e mbetur në tentativë”.

A.K, 40 vjeç, banues në Burrel, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prishje e qetësisë publike”, “Plagosje e lehtë”, “Rrëmbim personi e mbetur në tentativë”.

(E.P dhe A.K, kanë tentuar të marrin me forcë shtetasin E.P, 22 vjeç).

E.P, 22 vjeç, banues në Burrel, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prishje e qetësisë publike”.