Paraditen e sotme, u lançua në treg për t’u prenotuar nga të interesuarit, godina rezidenciale Green Vista, pjesë e projektit “Durrës Yacht Marina”.
Kjo është godina e 6-të e projektit 2 miliardë euro të marinës turistike të Durrësit, që u prezantohet blerësve të mundshëm që mund të rezervojnë apartamentin e dëshiruar, duke nisur nga çmimi minimal 105.888 euro.
Skepticizmi për “shitjet në ajër” të apartamenteve kanë shoqëruar përgjatë gjithë këtyre muajve projektin ambicioz të investitorit Muhamed Alabbar, por siç thekson Erlis Hereni, administrator i ASDC (Albanian Seaports Development Company), kjo fatkeqësisht është një praktikë e njohur në vendin tonë, por nuk ka ndodhur me projektin në fjalë.
“Interesimi i qytetarëve shqiptarë dhe të huaj ka qenë mjaft i lartë për projektin. Me lançimin e godinave u ofrohet qytetarëve mundësia për të prenotuar interesin. Në godinën që lançohet, pa përcaktuar datë se kur do të fillojnë punimet, një qytetar i interesuar përcakton në godinë interesin mbi një njësi të caktuar, pozicionimin e saj, vlerën e kësaj ndërtese dhe nënshkruan me kompaninë një marrëveshje në thonjëza për ta rezervuar këtë ndërtesë’,- sqaron Hereni.
Më tej, ai sqaron se kontrata e shitjes me blerësin potencial nënshkruhet ekskluzivisht vetëm pas marrjes së lejes së ndërtimit.
“Zërat për shitjet në ajër apo piramidë që kam dëgjuar gjatë kësaj kohe janë vetëm në rastin më të mirë thirrje të skeptikëve dhe në rastin më të keq thirrje dashakeqe”,- deklaron Hereni.
M.B.