Pas rritjes së rasteve me probleme të rrugëve respiratore, mjeku Ardian Jorgji ka lëshuar një paralajmërim të fortë për të gjithë qytetarët që neglizhojnë shenjat e para të prekjes së mushkërive.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Jorgji u ndal te një simptomë specifike që shpesh anashkalohet nga pacientët, por që tregon një bllokim dhe inflamacion serioz të sistemit të frymëmarrjes: fishkëllima e gjoksit.

Mjeku shpjegoi se kur infeksioni ose inflamacioni zbret në rrugët e poshtme të frymëmarrjes, trupi jep disa sinjale të qarta rreziku që nisin kryesisht gjatë natës. Sipas tij, kolla e thatë dhe e mundimshme nga mbrëmja deri në mëngjes është alarmi i parë.

Më tej, ai solli në vëmendje një shprehje të vjetër popullore për të treguar rëndësinë e fishkëllimës në mushkëri:

“Gjyshet tona dikur thonin ‘këndon gjoksi’. Kur shfaqet kjo fishkëllimë, duhet të bëhemi jashtëzakonisht vigjilentë, sepse kjo do të thotë që është prekur e tërë mushkëria. Fishkëllima tregon ngushtim të bronkeve si pasojë e inflamacionit, gjë që sjell më pak oksigjen në trup dhe vështirësi të mëdha në frymëmarrje”, deklaroi pneumologu.

Në fund të analizës së tij, mjeku pranoi se ndërlikimi më i madh i këtyre situatave mbetet astma, një sëmundje të cilën ai vetë si profesionist e konsideron të frikshme kur del nga kontrolli.

Ai bëri thirrje që qytetarët të mos mjaftohen me qetësues apo mjekime popullore, pasi pasojat e neglizhencës mund të jenë fatale për jetën. “Astma nuk është një sëmundje e thjeshtë. Kur del nga kontrolli, nuk vihet kollaj në vijë. Ndaj po nuk u tregua kujdes i menjëhershëm, kjo sëmundje mund t’ju marrë edhe jetën”, përfundoi Jorgji.