Në kuadër të operacionit “Perimetri”, policia ka arrestuar një 24-vjeçar nga Durrësi, pasi akuzohet për dhënie ndihme ndaj shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Mësohet se durrsaku u arrestua në aksin rrugor Korçë-Pogradec. Ai u kap duke transportuar me makinën e tij, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu nga verifikimet e kryera, 24-vjeçari rezultoi se nuk kishte leje drejtimi.

Njoftimi i Plotë

DVP Korçë

Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre në vijim të operacionit “Perimetri”, i cili u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 24 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u konstatua nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Volvo”, 3 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit shtetasi S. M., drejtonte mjetin pa leje drejtimi.