Me rastin e 89-vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare, në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës u mbajt mbrëmja poetike “Poetët jetojnë gjatë”.
Eventi artistik ishte konceptuar si një mbrëmje homazh për veprën letrare të shkrimtarit të njohur, poezitë dhe prozat e të cilit e kthyen Kadarenë në autor të përjetshëm në altarin e letërsisë botërore.
“Kemi organizuar një mbrëmje poetike për 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ku janë përfshirë 3 arte së bashku, ai i letërsisë, muzikës dhe artit vizual”,- tha ndër të tjera drejtoresha e QK Durrës, Alketa Myshketa.
Emocione të forta ngjallën tek të pranishmit interpretimet e ndjera të disa prej perlave të Kadaresë nga trupa e aktorëve të Durrësit.
Shkrimtari Bashkim Hoxha, gjatë fjalës së tij, u ndal tek lidhja që kolosi Kadare kishte me Durrësin, qytetin që megjithëse nuk e përmendi në veprat e tij, e kishte përherë të pranishëm me përshkrimet e vendeve, personazhet etj.
“Ismail Kadare e përshkroi botën ashtu siç e dëshironte ai. Ai i rikrijoi edhe temat e qytetit tonë, Durrësit, në veprën e tij. Ku e gjej unë Durrësin në veprën e tij, kur ai nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e qytetit në të gjithë krijimtarinë e tij? Jetën mesjetare të Durrësit e gjejmë në të gjithë qytetet pa emër, në romanet dhe novelat e tij, që i vendosin ngjarjet dhe personazhet në atë epokë”.
Kjo ishte hera e parë që ditëlindja e kolosit të letërsisë shqipe festohet në mungesë të tij. Kadare u nda nga jeta më 1 korrik të vitit të kaluar. I përkthyer në mbi 45 gjuhë, Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërsa është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” dhe “Oficer i Legjionit të Nderit”.
M.B.