Poeti durrsak Ilir Paja nderohet me një tjetër çmim në Itali, në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Centro Giovani e Poesia” në Triuggio (Monza e Brianza). Ky është edicioni i 34 i këtij konkursi dhe në të morën pjesë 713 autorë me një total prej 537 krijimesh. Autorët pjesëmarrës ishin nga Amerika, Franca, Ukraina, Egjipti, Bullgaria, Rumania, Bangladeshi, Shqipëria, Kosova etj. Ilir Paja u klasifikua i pesti dhe u nderua me çmim special.

Poezitë me të cilat poeti u paraqit në konkurs ishin: “Rrugës për në vjeshtë”, “Dhembje” dhe “Në ditë të tilla”. Poezitë u përkthyen në gjuhën italiane nga poetja dhe përkthyesja italo- shqiptare Irma Kurti.

Juria përbëhej nga profesionistë, njerëz të artit dhe të kulturës: Alessandro Villa – President, Giorgio Mancinelli – Ekspert, Francesco Solitario – Profesor në Universitetin e Sienës, Silvia Storti – Eksperte dhe Përkthyese, Lara Marozin – Anëtare e Jurisë Popullore, Nadia Piazza – Eksperte, Giorgia Spurio – Mësuese dhe Poete, Marina Doni – Gazetare, Donatella Ferrario – Shkrimtare dhe Gazetare, Maria Rosanna Zolesi – Eksperte, Chiara M. R. Borgonovo – Psikologe, Fulvia Villa – Eksperte, Claudio Bentivegna – Zëvendëspresident i Qendrës së Rinisë dhe Poezisë dhe Poet, Caterina Sangineto – Muzikante dhe dy anëtarë të Komitetit Përzgjedhës.

Ceremonia e dhënies së çmimeve u organizua në sallën e këshillit të bashkisë të komunës Triuggio më 15 qershor 2025 në praninë e autoriteteve vendase, poetëve si dhe të rinjve, përfaqësues të shkollave në Itali, pjesëmarrës dhe fitues në këtë konkurs.

Për poetin Ilir Paja ky nuk është vlerësimi i parë përtej kufijve të Shqipërisë. Ai ka marrë të tjera çmime në Itali, ku mund të përmendim: Çmim nderi në Konkursin letrar ndërkombëtar “Seneca” 2024, të organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike (Accademia delle Arti e delle Scienze Filosofiche) dhe çmimi i tretë në Konkursin ndërkombëtar  “Aquila d’oro” 2024  seksioni Poezia në gjuhë të huaj.

ILIR PAJA lindi në qytetin e Durrësit në Shqipëri më 20 shtator 1971. Në vitet 1991-1995 u diplomua në Fakultetin Filologjik, në degën e Gjuhësisë dhe Letërsisë. Që nga viti 1995 ka dhënë mësim për letërsinë dhe gjuhën shqipe në gjimnazin “Naim Frashëri” në Durrës. Ka botuar disa përmbledhje me poezi. Vargjet e tij janë botuar në gazeta të ndryshme.

Ka nisur të shkruajë që në gjimnaz për ta vazhduar gjatë studimeve universitare si  student, në poezi, prozë, esse dhe shkrime shkencore.

Ka publikuar disa vëllime poetike: “Nuk hesht” 1996 botuar nga “ Marin Barleti”, “Afrohen gjethet” në vitin 2006, botuar nga “Ideart” dhe “Pikojnë yje”  botuar në vitin 2010. Ka botuar gjithashtu në gazeta dhe në revista letrare artikuj të ndryshëm shkencorë si dhe pjesë nga krijimtaria e tij, si në revista “Poeteka”, “Mehr Licht”, “ Obelisk”, Vegime letrare”, në “ Zëri i Rinisë”, “ Drita”, “ Nacional” , “Muzgu”, “Milosao” etj. 

Në vitet 2005 -2010 ka qene pjesëmarrës në edicionet “Poeteka” mbajtur në Durrës si dhe në aktivitete të tjera letrare jashtë Shqipërisë si në Palermo, Romë, Strugë. I përfshirë në përzgjedhjen e “Poeteka” në vitin 2021, antologji poetike, me autorë të pas viteve 1990, e cila u botua në Serbi. Në vitin 2022 është pjesë e Antologjisë së publikuar në gjuhën maqedonase me autorë të huaj.Në vitin 2023 botoi romanin e tij të parë: “Kronikë pa qytet”.