Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Fati i Lojërave”, duke zbuluar disa ambiente të përshtatura për organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet.
Gjatë kontrolleve në Tiranë, u identifikuan 4 raste, ku ambiente të ndryshme ishin shndërruar në pika për lojëra fati me kompjuterë, makina lojërash dhe tavolina pokeri.
Në total, policia sekuestroi 16 njësi kompjuterike të përdorura për lojëra fati, tavolina pokeri dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë aktivitet të paligjshëm.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan 5 shtetas, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, të dyshuar si pronarë, administratorë ose punonjës të këtyre ambienteve.
Të arrestuarit:
-u arrestua shtetasi Xh. K., 34 vjeç, pasi në lokalin e tij u gjetën 5 njësi kompjuterike, me të cilat zhvilloheshin lojëra fati;
-u arrestuan shtetasit K. Ç., 47 vjeç dhe R. M., 42 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të 47-vjeçarit, ku ishte i punësuar shtetasi R. M., u gjetën 4 njësi kompjuterike që përdoreshin për lojëra fati;
-u arrestua shtetasi E. N., 49 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. B., 32 vjeç, pasi në një ambient në administrim të 32-vjeçarit, me punonjës shtetasin E. N., u gjetën 7 njësi kompjuterike që përdoreshin për lojëra fati;
-u arrestua shtetasi K. V., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. V., 60 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të këtij të fundit u gjetën tavolina pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit. 22-vjeçari u kap në flagrancë duke tentuar të prishë provat materiale.
Policia njofton se kontrollet dhe operacionet kundër lojërave të paligjshme të fatit do të vijojnë në të gjithë territorin. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





