26 maj 2015 – Masat e policisë dy ditët e ardhshme do të jenë po aq të forta sa dhe vizita e Papës që bëri në shtator. Ndonëse këtë radhë nuk është kreu i katolikëve në mbarë botën, por vetëm kreu i qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Edhe pse zyrtarisht nuk bëhen të ditura nëse Shërbimi Informativ Shtetëror ka të dhëna që mund të shkaktohet ndonjë incident, marrja e këtyre masave ka vënë në panik vetë qytetarët. Ata duhet të izolohen për dy ditë me radhë, veçanërisht në Tiranë e Durrës e fshatrat e tyre. Pavarësisht se bëhet fjalë për prezencën e Vuçiçit në Samitin e Vjenës që mbahet në datat 27-28 maj në Tiranë, shqiptarët duhet të paralizojnë çdo aktivitet të tyre këto ditë.
Një urgjencë private nëse ndodh në Vorë, Maminas apo Durrës për në Tiranë do të duhet të presë kalimin e autokolonës së sigurisë të kryeministrit serb ose të devijojë në rrugë dytësore, në mënyrë që të çojë në spital të sëmurin.
Nga ana e Policisë së Shtetit deklarohet se janë në gatishmëri gati 1500 forca në Tiranë e në Durrës, të cilat do të menaxhojnë rendin në kohën kur në këto dy qytete të jetë i pranishëm Vuçiç. Ndërkohë, në 21 shtatorin e shkuar, me ardhjen e Papa Franceskos, në të gjithë Shqipërinë u angazhuan 2500 forca policie.
Në nëntor të vitit 2014, Edi Rama vizitoi Beogradin, gati 1 muaj pas ndeshjes që shkaktoi tension mes dy vendeve. Shteti serb nuk u ngrit në këmbë dhe takimet e Ramës kaluan pa asnjë incident dhe pa bllokime 2-ditore të vendasve, kjo dhe falë infrastrukturës disa herë më të mirë të Serbisë.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”