Dëgjesa publike për Vlerësimin e ndikimit në mjedis të portit të ri në Porto Romano është shoqëruar me debate mes banorëve të zonës, tokat e të cilëve preken nga projekti dhe drejtorit të APD-së, Pirro Vengu.

Përfaqësues të banorëve të njësisë administrative Katund i Ri kanë dashur të dinë çmimin me të cilin do të bëhet dëmshpërblimi i tokave të tyre, që do të përfshihen në territorin e portit të ri tregtar që do të ndërtohet në Porto Romano.

Sipas tyre, çmimi prej 4 milionë lekë dynymi është një tallje për ta sepse kështu vlerësohet “një metër katror me 1 paketë cigare”.

Ndërsa deklaruan se janë pro projektit të portit të ri tregtar, ata kërkuan nga APD dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimet një shifër konkrete, e cila pavarësisht insistimit të tyre nuk u dha nga përfaqësuesja e kësaj agjencie.

“Ne vlerësimin e bëjmë me VKM-në e 89-ës”,- tha përfaqësuesja e ASHSH-së, Entela Bytyçi, ndërkohë që banorët thanë se vite më parë në atë zonë tokat janë blerë me 12 milionë lekë dynymi nga Damir Fazlliç, ndërsa në vitin 2022 po i kompensojnë me një paketë cigare.

Ndërkohë një tjetër banor, që u prezantua si përfaqësues i fshatit Rinia tha të mos niset dikush “për ta marrë atë tokë, sepse do bëhet gjak”.

Drejtori Vengu u premtoi banorëve se do shkojë t’i takojë personalisht dhe t’i sqarojë më tej lidhur me dëmshpërblimin, ndërkohë që u kërkoi të linin adresat e emailit dhe të dhëna të tjera për të mund t’i kontaktojnë në të ardhmen.

M.B.