Një monografi atipike për një artist 3 dimensional, i njohur gjerësisht në rang kombëtar për veprat e tij. Takimi letrar i organizuar nga Biblioteka Durrës i ishte kushtuar monografisë shkencore “Fatbardh Marku: vizatime dhe grafika 1972-2022”, të autorit Oltsen Gripshi.

I njohur për karrierën e tij në 3 fusha të artit; vitrazh, grafikë artistike dhe skenografi, artisti Marku vjen në këtë monografi në një formë disi ndryshe, për të shpalosur para publikut shumë nga veprat e tij, disa prej të cilave dalin nga skutat e harresës gjysëm shekullore.

“Monografia është atipike sepse nuk është e ndërtuar në atë metodologji të monografive tipike, por merr në analizë të gjithë veprën e artistit. Eshtë një krijimtari tepër e gjerë, pasii nis nga viti 1972 e deri në 2022, dhe përkon me shumë etapa historike të artistit, me shumë vepra të rëndësishme të cilat gjenden qoftë në koleksionin e tij privat, qoftë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo monografi vjen përmes këtij rrëfimi, përmes kësaj analize shkencore për ta kodifikuar në një farë kuptimi në mënyrë teorike veprën dhe krijimtarinë e tij për ta sjellë atë për publikun më të gjallë dhe më pranë lexuesit, por pse jo dhe studentëve”,- thotë autori Oltsen Gripshi për “DurrësLajm”.

Në këtë monografi, ku dominojnë vizatimet dhe grafikat në bardh e zi, autori Gripshi ka qëmtuar për disa muaj në arkivën personale të artistit Fatbardh Marku, por e gjithë krijimtaria e tij 50-vjeçare nuk mund të ezaurohet në një monografi të vetme.

Me një karrierë goxha të gjatë në skenografi në Radio Televizionin Shqiptar, në kinostudio apo teatrot shqiptarë, Marku uron që një ditë edhe këto punë të tij të përmblidhen në një libër.

“Monografia që duhet të bëhet patjetër është ajo e skenografisë. Kam me qindra skenografi televizive, teatrale, në filma etj. Edhe ato kanë vendin e vet, edhe ato janë një shkollë më vete”,– thotë artisti Fatbardh Marku.

Pas prezantimit të librit, të pranishmit patën mundësi të diskutonin dhe të bënin pyetje me autorin Gripshi dhe artistin Marku mbi veprën shkencore dhe krijimtarinë artistike.

M.B.