Dy kandidatët e primareve në Durrës, Igli Cara dhe Armand Dervishi kanë folur për mediat pasi kanë votuar paraditen e kësaj të diele, njëri prej të cilëve do të zgjidhet nga votat e anatërarësisë së PD-së për të garuar në zgjedhjet lokale më 14 maj 2023.

Cara thotë se sot fjalën e kanë demokratët të cilët do të votojnë. “E rëndësishme është që sot procesi të jetë i rregullt dhe të tregojë një pjesëmarrje të madhe. 14 maji duhet të na çojë më të bashkuar, më të fortë dhe fitues.”

Edhe kandidati tjetër Armand Dervishi teksa bëri thirrje që demokratët të votojnë sot masivisht, theksoi se vetëm së bashku mund të shkojnë përpara drejt ndryshimit:

“Duhet të bashkohemi dhe të jemi së bashku për të sjellë ndryshimin që qytetarët e Durrësit meritojnë. Procesi po shkon qetë, situata është e qetë dhe besoj se kështu do të vazhdojë deri në fund të ditës. Falënderoj organizatorët, vetëm së bashku përpara të sjellim ndryshimin.”

Procesi i votimit i cili deri më tani ka shkuar i qetë dhe pa probleme, me një pjesëmarrje të konsiderueshme votuesish, do të jetë i hapur për demokratët durrsakë nga ora 8:00 deri në 18:00 të kësaj të diele.