Partia Demokratike zhvillon sot primaret për të vendosur për kandidatët që do të garojnë përballë PS-së në zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Mbi 4 mijë anëtarë dhe simpatizantë pritet të votojnë në Durrës, ku duhet të zgjedhin midis Igli Carës dhe Armand Dervishit.

Dy qendra votimi janë pranë selisë së degës së PD-së Durrës, ndërsa një tjetër për Komunat Ishëm, Manëz, Sukth, Katund i Ri është tek ambientet pranë karburant Kast-Oil Kullë-Sukth.

Procesi i votimit do të jetë i hapur për demokratët durrsakë nga ora 8:00 deri në 18:00 të kësaj të diele.

Kandidati shpallet fitues vetëm nëse merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në një zonë të caktuar. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short.

Një betejë interesante dhe e fortë është në Krujë, bashkia e cila ka më shumë kandidatë, plot 11 emra që synojnë të jenë përballë PS-së më 14 maj. Pretendentët kryesore janë Ndriçim Babasi dhe Agron Loka që aktualisht drejton degën e PD-së. Në këtë bashki, garon në primare edhe kandidati i Partisë së Lirisë Denis Hidri. 

Ndërkaq, në Shijak janë 4 kandidatë në garë: Agim Rameta, Astrit Hoxha, Fatbardh Gjata, Rezeart Tusha.