Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale shprehet se procesi i rindërtimit është një proces model dhe i suksesshëm edhe pse gjatë tij ka patur sfida të vështira.

Sako ka ndarë për ndjekësit e saj në “Facebook”, rastin e pallatit që njihet nga banorët si “Pranvera” në lagjen nr.11, me një shkallë dëmi DS4. Kryebashkiakja shkruan se është përballur me një banore të moshuar të këtij pallati, e cila kishte hyrë në apartamentin e saj dhe nuk pranonte të largohej duke sjell kështu ndërprerjen e punimeve.

Ndërkohë, Sako shkruan se e ka takuar personalisht të moshuarën dhe ka marrë mirëkuptimin e saj pasi i ka shpjeguar të gjithë punën që po bëhet me procesin e rindërtimit dhe se ishte e domosdoshme që ajo të largohej nga apartamenti për pak kohë.

Postimi i plotë:

Procesi i rindërtimit është një proces model dhe i suksesshëm por gjatë rrugës së tij ne kemi përballuar sfida mjaft të vështira, jo vetëm në aspektin teknik, sa i përket projekteve dhe rindërtimit apo rikonstruksionit të godinave të banimit, por edhe sfida në aspektin social që janë edhe më komplekse, sepse kanë të bëjnë me emocione njerëzore të qytetarëve të Durrësit.

Dua të ndaj me ju një moment njerëzor.

Në pallatin në lagjen 11, që njihet nga banorët si pallati “Pranvera”, jemi përballur me sfidën e rikonstruksionit të një godine me shkallë dëmi DS4, rikonstruksioni i këtyre godinave është nga më të komplikuarit e procesit. Por problemet teknike janë tejkaluar ndërkohë që përballja me një banore të moshuar të këtij pallati ishte një sfidë tjetër, mjaft delikate të cilën e zgjidhëm me durim, duke respektuar dhimbjen dhe shqetësimin e një zonje të moshuar, e cila kishte hyrë në apartamentin e saj në këtë pallat dhe nuk pranonte të largohej edhe pse punimet nuk kanë përfunduar.

Kjo solli edhe ndërprerjen e punimeve në pjesën e godinës ku kjo zonjë kishte apartamentin e saj.

E takova personalisht në shtëpine e saj këtë grua të moshuar dhe të tronditur jo vetëm nga fatkeqësia e tërmetit dhe pasojat e tij por edhe nga dallgët e një jetë të vështirë. Bashkëbisedova gjatë me të dhe gjeta mirëkuptimin e saj të plotë sepse i sqarova të gjitha ato që po bëjmë me procesin e rindërtimit dhe konkretisht me punën që bëhej në pallatin e saj, si dhe i shpjegova se ishte e domosdoshme që ajo të largohej për pak kohë sa të mbaronin punimet dhe më pas ajo do të rikthehej sërish në shtëpinë e saj tërësisht të rikonstruktuar dhe në një pallat më të sigurtë se më parë.

Kam impenjimin maksimal që të qëndroj pranë njerëzve duke dëgjuar dhe sqaruar gjithësecilin me durim dhe qetësi, sepse sfidat mund ti kalojmë të gjithë bashkë, duke qëndruar pranë njëri tjetrit e duke bërë maksimumin në ndihmë të njëri tjetrit.