Në kantierin e projektit “Durrës marina” ka nisur puna prej disa javësh për ndërtimin e dy godinave të para rezidenciale, për të cilat Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë lejen përkatëse në muajin gusht.

Këto godina janë pjesë e projektit 2 miliardë euro të biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar, në përfundim të të cilit në territorin e portit detar të Durrësit do të ndërtohen rreth 14 mijë njësi banimi, komplekse rezidenciale dhe hotelerie.

Për të mësuar më shumë për fazat e projektit dhe kur pritet të finalizohet ai “DurrësLajm” intervistoi Erlis Herenin, administrator i ASDC (Albanian Seaports Development Company).

Faza e parë e projektit pritet të zgjasë 5-7 vite, periudhë kjo që parashikohet të përkojë me spostimin e aktiviteteve tregtare të portit të Durrësit drejt portit të ri që do të ndërtohet në Porto Romano.

“Në të gjithë portin e Durrësit, në momentin që do të rialokohet i gjithë terreni do të ndërtohen rreth 14 mijë njësi banimi. Nuk është çudi që këtu, edhe pse po prenotohen apartamente nga qytetarët këto apartamente nesër të vihen në dispozicion të turistëve elitarë të cilët do të vizitojnë marinën e Durrësit apo dhe Durrësin dhe Shqipërinë.

Faza e parë ka një periudhë kohore prej 5-7 vite, por masterplani është dinamik. Dinamika e masterplanit na çon neve që në bashkëpunim me Durrës Marina të vendosim se ku do të jenë hapat e tjerë zhvillimorë të hapësirës portuale, e cila nuk është në dispozicion të terminaleve dhe kontratave ekzistuese nga porti i Durrësit.”,- bën të ditur Hereni.

Ndërkohë për finalizimin e të gjithë projektit, nevojiten afërisht 2 dekada.

“Ligji që kemi në fuqi, që miraton draft-marrëveshjen që kemi firmosur më pas parashikon një periudhë 5-7 vjeçare për fazën e parë dhe 15-20 vite për të gjithë projektin. Pra maksimumi është 20 vite, por kam përshtypjen se me rialokimin e shërbimeve tregtare në portin e ri në Porto Romano dhe krijimin e hapësirës për të vepruar kam përshtypjen se investitori do të bëjë çmos si për interesin e tij po ashtu dhe për interesin e qytetarëve shqiptarë, që ka qenë i jashtëzakonshëm afatet do të kapen për të mos thënë që do të jenë edhe më shpejt”, thotë Hereni.

M.B.