Disa aktivitete kulturore artistike janë zhvilluar në Amfiteatrin e Durrësit dhe në Torrën Veneciane. Në Torrën Veneciane është çelur ekspozita “Holistic View”, ekspozitë kolektive e 5 artistëve. Po ashtu edhe artistja e arteve vizuale Redina Qose ka bërë një ndërhyrje artistike në një nga shtëpitë e vjetra pranë mureve të kalasë.

Ndërsa në amfiteatër u çel një ekspozitë fotografie me foto nga Durrësi gjatë 100 viteve të fundit si dhe u zhvillua një performancë e titulluar “Kjaj” nga Rossella Pellicciotti me regji të Gentian Doda dhe muzikë të Çezar Aliaj.

Këto aktivitete u zhvilluan në kuadër të projektit “Projektorë të Historisë” financuar nga Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Qendrën Muzeore Durrës dhe bashkinë e Durrësit.

Projekti konsiston në një sërë aktivitetesh në hapësirën publike të qytetit të Durrësit për të rikujtuar evente historike me anë të një interpretimi ilustratitiv, duke ndihmuar komunitetin për të përcjellë dhe dokumetuar identitetin e vendit në mënyrë artistike dhe kreative.

Problematika që adresohet është shkëputja nga kujtesa publike e komunitetit, të ngjarjeve historike, të cilat kanë shënuar gjurmët e të kaluarës sonë. Eventet ofruan një hapësirë për të dhënë një model për identifikimin e figurave historike në të kaluarën e Durrësit dhe risjellë ato në përditshmëri me anë të produkteve grafike.

Kjo zgjidhje i  përgjigjet drejtpërdrejt nevojave të identifikuara në thirrje si rritje e nismave krijuese artistike bashkëkohore kolektive duke risjellë kujtesën ndaj së kaluarës dhe shpërndarja e informacioneve historike te brezat e rij në menyrë efikase duke përdorur krijimtarinë multimediale, artet performuese dhe platformat digjitale.

“Kjaj” është një përballje me veten në përpjekje për të mos humbur identitetin. Aty ku ndërthuren e kaluara dhe e tashmja, ndodh përplasja e brendshme për të mbajtur gjallë thelbin e vetvetes. E sjellë në Durrës, një qytet që ka pësuar transformime të shpejta, shpesh në kurriz të identitetit të tij historik, pjesa rezonoi me peizazhet e shpërfytyruara të qytetit dhe me luftën për të mbajtur gjallë kujtimet që zbehen në një vend ku “e vjetra” vazhdimisht pushtohet nga “e reja.”

“Holistic View” ishte një ekspozitë kolektive që solli së bashku një grup artistësh në hapësirën historike të Kullës Veneziane në Durrës. Kjo ekspozitë e kuruar nga Xhovana Precetaj përbën një lidhje të veçantë mes trashëgimisë kulturore dhe artit bashkëkohor, duke krijuar një përvojë të re gjithëperfshirëse që bashkon ngjarjet nga e kaluara dhe e tashmja. Ky udhëtim artistik që lidh të kaluarën me të tashmen u realizua nga punimet e Ger Totraku, Dario Prendushi, Najsa Dishnica, Egi Mali dhe Doris Vila. Në këtë ekspozitë artdashësit durrsakë eksploruan punën e pesë artistëve, të cilët, me mediume të ndryshme artistike, ofruan reflektime të thella mbi çështje sociale, ambientale dhe ekzistenciale duke sjellë një lidhje të veçantë mes artit dhe historisë në një nga vendet më të bukura dhe historikisht të rëndësishme të Durrësit.