Monografia enciklopedike “Arbëreshët -Shqiptarët e Italisë”, e autorit Fatmir Toçi u promovua pasditen e së martës në Durrës.
Një botim mjaft voluminoz që përmbledh një pune gati 15-vjeçare të autorit, që ndërthuret mes studimit të vendbanimeve, historisë, kulturës, riteve dhe objekteve të kultit të arbëreshëve dhe vizitave të vazhdueshme të Toçit nëpër të gjithë Italinë për të sjellë një kuadër të plotë të këtij komuniteti të larguar 5 shekuj më parë nga trojet amë.
Në takimin e organizuar nga Biblioteka Publike Durrës ishin bërë bashkë shkrimtarë, historianë dhe studiues të fushave të ndryshme.
Për rëndësinë e madhe të kësaj monografie në historiografinë shqiptare folën në takim dy personalitete mjaft të njohura, akademiku Rexhep Qosja dhe albanologu Matteo Mandala.
Në lidhjet live me të pranishmit në takim, Qosja dhe Mandala e konsideruan këtë vepër një enciklopedi të mirëfilltë shkencore dhe vlerësuan maksimalisht punën e bërë nga Toçi në terren për mbledhjen e materialeve voluminoze në mbi 500 vendbanime që kanë qenë arbëreshe dhe që sot janë rrudhur në 50 zyrtarisht.
Megjithëse i ka dedikuar dy libra komunitetit arbëresh që jeton kryesisht në jug të Italisë, autori Toçi flet për një personazh të historisë italiane dhe shqiptare, stërmbesën e Skënderbeut, Irena Kastrioti, që meriton të jetë në vëmendjen e studiuesve.
Për “DurrësLajm”, autori Toçi zbulon ky nuk do të jetë i vetmi botim mbi arbëreshët e Italisë.
“Kam filluar po punoj me një gjë që i mungon botës arbëreshe, i mungon dhe gjithë botimeve dhe studimeve shqiptare, një album historiko-kulturor për trashëgiminë historike dhe kulturore të arbëreshëve në Itali”.
Në monografinë enciklopedike me mbi 900 faqe një vend mjaft të rëndësishëm zënë hartat dhe imazhet që përfshihen në 400 fotografi origjinale, që pasurojnë botimin.
M.B.