Në një atmosferë mjaft të ngrohtë dhe miqësore, mes dashamirësish të librit dhe njerëzve të letrave u promovua novela më e fundit e autorit durrsak Doranin Agalliu.
I shkruar gjatë muajve të karantinës të imponuar prej virusit Covid-19, novela “Kur vdiqa” trajton përmes gjuhës së satirës problematikat e shoqërisë shqiptare.
Personazhi i vdekur i autorit Agalliu denoncon shumëçka që nuk shkon në këtë tranzicion të gjatë, që ka nisur mbi 3 dekada më parë.
“Personazhi është i vdekur, por flet për botën e të gjallëve. Të gjitha problemet që ka Shqipëria, që nga viti 1992 – 2020. Mendoj se kam sjallë një personazh të ri, i cili bën një grafi të plotë të sistemit, të cilin e quajmë akoma në tranzicion, tranzicion që duhet të ishte mbyllur bashkë me vdekjen e personazhit. Ai thotë gjëra që në jetën reale të gjithë njerëzit tërhiqen, nuk i thonë, ose i thonë siç thotë populli, pas pilafit. Personazhi thotë disa të vërtetë që janë pjesë e qytetit tonë, i kritikon, duke dhënë kështu mesazhin që jeta duhet jetuar në kohën e duhur”,– tha autori.
Në mbrëmjen letrare të organizuar nga Biblioteka Publike Durrës, të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë nga vetë autori mbi procesin krijues dhe mesazhet që mbart novela “Kur vdiqa”, si dhe të përfshihen në diskutime mbi veprën letrare.
Novela ‘Kur vdiqa” pritet të pasohet së shpejti nga vepra të tjera letrare, në prozë e poezi.
“Kam në punim e sipër një vëllim me tregime po të periudhës së pandemisë dhe një vëllim me poezi që fillon që nga klasa e V-të e deri më sot, duke bërë një seleksionim të madh”,- deklaroi shkrimtari Agalliu për “DurrësLajm”.
M.B.