Autorja Manjola Lloja Bushati promovoi pasditen e së mërkurës librin e saj të parë “Ose ne” në Durrës. Në këtë prozë letrare me 8 personazhe, por të cilëve ajo nuk u ka vënë emra, aq sa shpesh mund të jesh në dilemën nëse është i njëjti çift apo bëhet fjalë për çifte të ndryshme, Bushati sjell një copëz nga realitetet jetësore të ditëve tona.

Si profesioniste e fushës së sociologjisë, Bushati i qaset prozës me një formë të shkruari jo shumë pranë konvencionales klasike. 

“Rastësor ishte momenti kur vendosa që vëzhgimet e mia për mënyrën sesi njerëzit komunikojnë ose nuk komunikojnë sot të përmblidheshin në një seri me skica të shkurtra, që më pas u finalizua si një novelë.

Është i trajtuar si një libër letrar, si një histori dashurie dhe marrëdhënieje mes të rriturve, por në fakt dëshira ime dhe pikësynimi im si autore është që të shoh tani reagimin e njerëzve, jo për librin në vetvete, por për mendimet që libri u ka nxitur atyre”,- tha autorja për “DurrësLajm”.

Gjatë promovimit të librit “Ose Ne”, të organizuar nga Biblioteka Publike Durrës, shumë nga të pranishmit që kishin lexuar novelën, diskutuan me autoren aspekte të ndryshme të botëkuptimit të personazheve të saj. E pritur mirë nga lexuesit në këtë tentativë të parë letrare të saj, sociologia Bushati duket se do ta vazhdojë edhe më tej të shkruarin, për të sjellë në të ardhmen, të tjera vepra interesante dhe që ngjallin diskutime.

M.B.