Banorët e një pallati 12 katësh, në lagjen nr.5 të Durrësit kanë protestuar ditën e sotme para bashkisë. 2 vite e gjysëm pas tërmetit, në pallatin e tyre ende nuk është ndërhyrë për të bërë riforcimet e nevojshme. Banorët kanë një aktekspertizë të Institutit të Ndërtimit, që e nxjerr pallatin me dëme DS3, por nga burime jo zyrtare ata kanë mësuar se Instituti ka kërkuar riforcimin e pallatit, sepse rezulton me dëme DS4.

E vetmja kërkesë e banorëve është riparimi i dëmeve të tërmetit, të cilat janë mjaft të dukshme në godinën shumëkatëshe.

Banorët kanë marrë grantin e dëmshpërblimit në masën 500 mijë lekë dhe riparimin e apartamenteve e kanë kryer vetë, por prej më shumë se dy vitesh janë në pritje të riforcimit të pallatit. Godina ka pasur inklinim deri në 25 cm që në vitet e para pas ndërtimit. Megjithëse banorët pritën disa orë para bashkisë për të marrë një përgjigje për nisjen e punimeve, asnjë zyrtar nuk i priti këta të fundit.