Ndërsa proocesi i numërimit po shkon drejt fundit në bashkinë Durrës, e vetmja nga bashkitë e qarkut që ende nuk ka një rezultat final, vlen të shikohet si ka qenë trendi i votës në njësitë administrative.

Procesi i numërimit është përmbyllur në KZAZ-në nr, 21 në Sukth dhe nga votat e të tre njësive administrative që përmbledh kjo njësi rezulton fituese Partia Socialiste me 6127 vota, kundrejt 5298 vota që ka mbledhur koalicioni PD – ASHM. Diferenca është 829 vota dhe në të 3 njësitë administrative që përmbledh kjo KZAZ, maxhoranca qeverisëse ka rezultuar fituese.

Vlen të përmendet që rezultati i deritanishëm i KZAZ-së nr.21 është minus dy kuti që janë shpallur të pavlefshme, sepse kishin dëmtime dhe për fatin e tyre do të vendosë KQZ.

PS ka rezultuar fituese edhe në njësinë administrative Rrashbull, ku ka mbledhur 6099 vota, ose 56.62 %, ndërsa PD-ASHM ka 3748 vota, ose 34.80 % në 35 QV nga 36 gjithsej që ka kjo njësi administrative.

E vetmja NJA e bashkisë Durrës, ku rezultati final shkon në favor të koalicionit opozitar është Katnndi i ri, ku PD-ASHM ka mbledhur 2265 vota dhe PS ka 2111 vota.  Diferenca është 154 vota më shumë për PD-ASHM.

Edhe në vitin 2021, në zgjedhjet parlamentare, kjo komunë votoi në favor të PD, por 4 vite më parë rezultati ishte më i thellë me gati 1000 vota diferencë, ndërsa në përqindje PD mori 57.42 % të votave dhe PS mori 37.49 % të votave. 4 vite më pas rezultati është reduktuar ndjeshëm.

Pra vetëm në një njësi administrative, koalicioni opozitar ka mundur të dominojë mbi Partinë Socialiste.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në bashkinë e Shijakut, numërimi në të cilën përfundoi një ditë më parë.

Në bashkinë e vogël, në të gjitha njësitë administrative, përveç Xhafzotajt, rezulton fituese PS.

Kështu në Gjepalaj, Maminas dhe në qytetin e Shijakut, Partia Socialiste dominon me vota, kundrejr koalicionit opozitar.

Trendi i votës ndryshon vetëm në Xhafzotaj, ku pas numërimit të 21 kutive të kësaj NJA-je rezulton se PD-ASHM ka marrë 2594 vota (48.33%) dhe PS ka marrë 2546 vota (4744%).

Diferenca është 48 vota, ose vetëm 1%.

Në total, në KZAZ-në nr.26 (Shijak) Partia Socialiste mblodhi 7,118 vota dhe PD-ASHM mblodhi 5,266 vota.

M.B.