A është orizi kafe me të vërtetë më i mirë se orizi i bardhë? Një studim i ri sugjeron nivele shumë më të larta të arsenikut të zbuluara në orizin kaf krahasuar me atë të bardhë. Studimi u krye nga Universiteti i Miçiganit dhe u botua në revistën shkencore Risk Analysis.
Tradicionalisht, orizi përpunohet për të hequr lëvoren e tij të jashtme të pangrënshme. Orizi kaf ruan krundet dhe embrionin, elementë që i japin ngjyrën karakteristike dhe rrisin vlerën ushqyese. Në të kundërt, tek orizi i bardhë hiqen si krundja ashtu edhe embrioni, duke lënë vetëm pjesën e brendshme të kokrrës.
Studiuesit kryen një shqyrtim të gjerë të literaturës ekzistuese mbi vlerën ushqyese të orizit të kaftë dhe të bardhë, me theks në nivelet e ekspozimit ndaj arsenikut.
Siç raporton Fox News, ata përdorën të dhëna nga baza e të dhënave “Çfarë hamë në Amerikë” e Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe Institutit të Përbashkët të Shkencës Ushqimore dhe Ushqyerjes së Aplikuar për të llogaritur konsumin e orizit të amerikanit mesatar. U zbulua se krundja që mbulon orizin kafe përmban sasi dukshëm më të larta të arsenikut inorganik krahasuar me pjesën e brendshme të orizit të bardhë.
“Krundet dhe embrioni i orizit kaf përmbajnë përqendrime më të larta të arsenikut – dhe veçanërisht arsenikut inorganik – sesa endospermi i orizit të bardhë”, raportojnë studiuesit.
Sipas studimit, përqendrimi i arsenikut inorganik në orizin kaf ishte 70% më i lartë se në orizin e bardhë. Në orizin e kultivuar në SHBA, përqindja e arsenikut inorganik në orizin kaf arriti në 48%, krahasuar me 33% në orizin e bardhë.
Dietologia Sheri Coleman Collins, specialiste e alergjive ushqimore nga Atlanta, megjithëse nuk ishte e përfshirë në studim, komentoi se gjetjet nxjerrin në pah rëndësinë e shumëllojshmërisë në dietë. Ajo theksoi se arseniku, ashtu si toksinat e tjera natyrore ose të krijuara nga njeriu, ekziston në tokë dhe përfundimisht hyn në zinxhirin ushqimor.
Autorja kryesore e studimit, Profesor Felicia Wu, nga Kolegji i Bujqësisë dhe Burimeve Natyrore i MSU-së, theksoi se ky hulumtim është i rëndësishëm sepse tregon se konsumatorët duhet të marrin në konsideratë jo vetëm vlerën ushqyese, por edhe sigurinë ushqimore kur bëjnë zgjedhje.
Arseniku gjendet në shumë forma, organike dhe inorganike, dhe sipas shkencëtarëve, arseniku inorganik është një kancerogjen i njohur për njerëzit.