Komedia “Dita më e bukur” do të vihet në skenë për katër ditë me radhë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

E shkruar nga autori francez David Foenkinos, ajo vjen nën regjinë e Ledio Topallit, ndërsa në role janë aktorët: Adelina Muça, Jorida Meta, Gentian Zenelaj, Klodian Hoxha dhe Sheila Haxhiraj.

Në një video të publikuar nga faqja zyrtare e teatrit 2 aktorët, Zenelaj dhe Adelina Muça shprehen se kanë vënë bast që nuk do të zhgënjehen nga publiku durrsak, nga “publiku më i mirë në botë“.

Kjo shfaqje flet për realitetin e shoqërisë së sotme moderne, ku njerëzit janë në kërkim të lumturisë, por që e kërkojnë atë në drejtimin e gabuar duke mos u zhytur thellë brenda vetes së tyre e duke qenë sipërfaqësorë.

Ziliqarë ndaj njëri-tjetrit e që nuk arrijnë të kuptojnë për çfarë ata realisht kanë nevojë dhe që kurrë nuk ndjehen të realizuar.

Për këdo që do të qeshë, por dhe të reflektojë nga loja e aktorëve, datat kur mund ta shihni komedinë janë 14,15,16 dhe 17 prill, sipas këtij orari:

14,16 dhe 17 prill | ora 19:00

15 prill | ora 18:00

Për të rezervuar është vënë në dispozicion numri 068 39 138 13, ndërsa biletaria do të jetë e hapur në 𝟬𝟵:𝟬𝟬 – 𝟭𝟮:𝟬𝟬 𝗱𝗵𝗲 𝟭𝟳:𝟯𝟬 – 𝟭𝟵:𝟬𝟬