Ciceronia vazhdonte të tregonte plot pasion historikun e amfiteatrit antik të Durrësit, arenën ku ndesheshin gladiatorët, mozaikun dhe gjithçka që me të vërtetë të bën krenar, kur shikon se i huaji e kupton se duhet të ketë më tepër respekt për këtë qytet, për këtë popull me një histori të lashtë dhe interesante. Në fakt ishin gjëra që i dija, por ndërsa i dëgjoja nga ciceronia që fliste me një anglishte të kulluar më dukeshin si më të vërteta më të bukura dhe më interesante. Për një çast mu duk vetja si një turist i huaj që “thithte”me vëmëndje dhe kuriozitet çdo fjalë. Për të me siguri Shqipëria merrte një dimension tjetër në krahasim me atë që ai kishte njohur në gazetat apo mediat e vendit të tij, kur para disa vitesh ndoshta nuk e dinte se ekzistonte një Shqipëri në hartë apo ndoshta e njihte si vendin e izoluar të Ballkanit. Ciceronia vazhdonte dhe unë shikoja reagimin e turistëve japonezë që herë pas here shkrepnin aparatin fotografik për të kapur detaje nga amfiteatri. Pas çdo blici vështrimi rikthehej nga ciceronia që vazhdonte të shpjegonte me atë anglishten e saj të kulluar.

Dëgjoja më vëmëndje dhe shikoja me krenari që kjo vajzë e re që kish mbaruar shkollën e gjuhëve të huaja në Tiranë fliste jo vetëm bukur, por dhe me një sens të lehtë letrar që i jepte më tepër pasion dhe vërtetësi asaj që thoshte. Mu kujtua se dikush më kishte thënë se shqiptarët kanë më tepër dhunti për gjuhë të huaja se italianët, gjermanët apo dhe shtetas të vendeve të tjera. Ndoshta dëshira e brezit të humbur të viteve 1950-1990 për të parë dhe ndjerë botën ka zgjuar këtë dhunti të veçantë, por ndoshta mund të jetë dhe një dhunti natyrore. Befas e kuptova se isha shkëputur nga tema dhe nisa të dëgjoj përsëri ciceronin që tashmë po fliste për faktin se çmimet e festivalit ndërkombëtar të filmit janë dhënë pikërisht në këtë arenë. “Në këtë arenë,- vijoi ciceronia,- Franc Kopola dhe Klaudia Kardinale…”. Ciceronia po vazhdonte, por turma e turistëve kishte nisur të lëvizte dhe të mos kishte më atë vëmëndjen e parë ndaj saj. Me sa duket për ta nuk përbënin ndonjë interest të veçantë ato të cilat për ne përbëjnë superlajme, në një kohë që një pllakë guri, një mozaik apo një varr i vjetër ju shkaktonte një afeksion të veçantë.

Ciceronia me intuitën e një vajze të mençur me sa duket e kuptoi dhe filloi të shpejtonte ritmin e fjalëve për ta mbyllur fjalinë e fundit, por pikërisht atëhere kur mendoi se mbaroi një prej turistëve, një mesoburrë me mjekër dhe me një bastun në dorë shfaqi një dëshirë të papritur që çuditërisht u mirëprit dhe nga të tjerët. Duam të shikojmë dhe kinemanë. Ciceronia me sa duket nuk e kuptoi mirë pyetjen apo ju duk një pyetje pa lidhje, që kish lindur pasi ajo kishte shtuar një fjali që fare mirë mund t‘a kishte shmangur për zhvillimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Mund të ma përsërisni ju drejtua ajo irlandezit me mjekër të përhime, sikur donte ti thoshte : “Të lutem mos ma bëj më këtë pyetje”! Turisti me një këmbëngulje të habitshme përsëriti: – “A mund të shikojmë kinemanë e qytetit”? Ciceronia mbeti një çast e ngrirë si ato figurat e mozaikëve që prej shekujsh nuk e ndryshojnë shprehjen e fytyrës, u përtyp pak dhe tentoi që të flasë. Oratoria e saj e shkëlqyer ngeci dhe fjalët si gurë të rëndë nuk po i dilnin nga goja. Në fakt dhe unë që po e ndiqja si spektator skenën fillova të ndjehem keq, të skuqem dhe të përjetoj atë ngërç që dhe ciceronia po e përjetonte.

Nuk kemi kinema. Kjo do të ishte përgjigja e saktë, por që do të prishte brenda çastit atë imazh të mrekullueshëm që ishte krijuar deri në atë moment te turistët e huaj. Dukej sikur do ti thoshte: -“Paraardhësit tanë fisnikë ndërtuan këtë amfiteatër të mrekullueshem, ndërsa ne nuk ndërtojmë dot një kinema që kërkon vetëm një aparaturë dhe një sallë normale”. Dukej sikur ai Festivali Ndërkombëtar i Filmit ishte një absurd i madh, në një qytet që nuk ka një kinema të vetme. Ndjeva keqardhje të thellë për ciceronen dhe për veten në ato sekonda të rënda, por një mrekulli e vërtetë ndodhi kur japonezi me aparatin fotografik i kujtoi mikut të tij irlandez se nuk kishin kohë, pasi krocera largohej pas dy orësh. Fjala e japonezit erdhi si një rrufe në qiell të hapur dhe ciceronia mori frymë lirisht. Rastësia bëri që imazhi i qytetit të saj të mos prishej dhe të huajt të mos merrnin vesh se një qytet i ndërtuar nga Ilirët, Taulantët, që në shekullin VII para krishtit të mos kishte qoftë dhe një kinema.

Turma e turistëve nisi që të zbriste shkallët e gurta të amfiteatrit për t`ju drejtuar më pas portit të Durrësit. Dy orë më pas trageti turistik dukej në horizont duke u larguar nga gjiri i Durrësit. Me siguri në bordin e tragetit mes qindra turistëve lundronte  dhe imazhi i vendit tim, i cili për pak do të ishte prishur nga pyetja e pavend e nje turisti irlandez. Nuk e di se në çfarë pozite do të kishte qenë Kryetari im i Bashkisë apo Ministri im i Kulturës nëse do të ishte vënë në pozitën e cicerones pas pyetjes së turistit irlandez. Si do të ndjeheshin ata sikur ciceronia të ishte përgjigjur: – Në qytetin tim është organizuar “Festivali Ndërkombëtar i Filmit”, por në  qytetin tim nuk ka akoma një kinema. Si do të ndjehej Kryetari im i Bashkisë apo Ministri im i Kulturës nëse ciceronia do t`u thoshte se në këtë qytet janë derdhur lumë paratë për muzikë “tallava”, apo për koncerte gjithëfarë llojesh, por nuk janë gjetur fondet për një kinema apo për një bibliotekë. Nuk e di se si do të ndjeheshin ata, por mua personalisht do më vinte turp, shumë turp.